KS i OKB-së refuzon serish propozimin rus për sulmet ajrore të NATO-s ndaj Serbisë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sërish hodhi poshtë propozimin e Rusisë për të diskutuar sulmet ajrore të NATO-s ndaj Serbisë 25 vjet më parë, të cilat parandaluan spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës nga ish-regjimi i drejtuar nga kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq.


Pas diskutimeve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, rendi i ditës u hodh në votim – gjashtë vota pro, zero kundër dhe nëntë abstenime. Kështu, rendi i ditës nuk u miratua, pasi nuk mori një numër të mjaftueshëm votash, tha kryesuesi.

Përfaqësuesi i Francës deklaroi se KS i OKB-së ka autoritetin të merret me çështjet e cenimit të sigurisë kombëtare, por nuk është një forum për çështje historike, duke u bërë kështu thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit që të mos e mbështesin propozimin rus.

Përfaqësuesi i SHBA-së tha se kërkesa e Rusisë dhe argumentet e saj për këtë çështje janë të çmendura, pasi Moska kërkoi edhe vota procedurale për temat e propozuara nga vendet e tjera.

Përfaqësuesi i delegacionit francez tha se ky diskutim mund të vazhdojë pafundësisht dhe i kërkoi kryesuesit që ta hedhë këtë çështje në votim.

Japonia për sot kishte caktuar seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për sulmet ajrore të NATO-s ndaj Serbisë, me kërkesë të përsëritur të Rusisë.

Në seancën e KS të OKB-së më 25 mars, sulmet e NATO-s ndaj Serbisë nuk u vunë në rend dite pasi 12 anëtarë të këtij organi abstenuan, teksa Rusia, Kina dhe Algjeria ishin të vetmet vende që diskutuan mbi këtë temë.