Kritikoi avokatët e krerëve të UÇK-së për vonesat, zëdhënësi i Speciales nuk përgjigjet kur përballet me argumentet

Mund të tingëllojë e çuditshme, por qëndron në realitet. Hiç më larg se javën e kaluar, zëdhënësi i Gjykatës Speciale kishte kritikuar, në mesin e të tjerëve edhe ekipet mbrojtëse të krerëve të UÇK-së për vonesat që sipas tij po i shkaktojnë ata në gjyqin kundër “katërshes së madhe” të UÇK-së.’


E çuditshme, kur kujtohet fakti se krerët e UÇK-së ishin arrestuar në nëntor të vitit 2020 dhe tek në prill 2023 kishte nisur gjykimi. Pra, dy vjet e gjysmë vonesë për shkak se prokuroria nuk ishte gati të fillonte ta mbronte rastin. E çuditshme, kur kujtohet fakti se Prokuroria e Specializuar e ka vonuar e penguar këtë proces duke qenë se ishte vet ajo që mbante deri vonë materialet e redaktuara, duke i pamundësuar mbrojtjes zhvillim të duhur të hetimeve të saja.

Këto, e argumente tjera, u lanë në plan të dytë në deklarimet publike të Doyle, mirëpo lajmi.net ia ka rikujtuar atij rrethanat reale duke iu drejtuar me disa pyetje, përgjigjet e të cilave nuk u dhanë nga zëdhënësi i Speciales.

Ai u ikë përgjigjeve për përgjegjësinë e Gjykatës dhe Prokurorisë:

”Kur kritikoni, a e keni në mendje që është përgjegjësi e prokurorisë administrimi i lëndës dhe jo i mbrojtjes?”, ishte pyetja e parë me të cilën lajmi.net iu drejtua Doyle-it.

Përgjigja: S’ka përgjigje.

”Çfarë mund të ju thoni ju qytetarëve të Kosovës që për gati 3 vjet nuk keni filluar as gjykimin?”, ishte e dyta pyetje për të cilën lajmi.net u interesua ta dijë se çfarë opinioni ka “zëdhënësi kritikues” i Speciales për vonesat që ka shkaktuar vet institucioni në procesin gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së.

Përgjigja: S’ka përgjigje.

”A keni një evidencë sa për qind e kërkesave të prokurorisë janë mbështetur nga gjyqtari i procedurës paraprake dhe paneli dhe sa nga ato të mbrojtjes. Sepse nga materialet që publikohen, shihet qartë që është prokuroria ajo që përherë favorizohet?” – ishte një pyetje tjetër, një çështje tjetër për të cilën u pyet.

Përgjigja: S’ka përgjigje.

Në fakt, Michael Doyle, në përgjigjet që i dha për deklaratat e tij, u duk të jetë fort formal, duke i ikur “kryegjësë”, në këtë rast, drejtimin e gishtit kah prokuroria e gjykata për të gjitha vonesat që janë shkaktuar deri tash në procesin kundër krerëve të UÇK-së, periudhë kjo në të cilët që të katërtit, kanë vuajtur në paraburgim.

Më poshtë keni pyetjet për të cilat u interesua lajmi.net, dhe përgjigjen krejt tjetër që dha Doyle:

”Unë nuk thashë se gjykata i kritikoi palët, por më tepër se trupi gjykues më 21 shkurt hulumtoi me palët mënyra se si ta bënte procedurën më efikase në dritën e afatit kohor të prillit 2025 të treguar nga Prokuroria për përfundimin e saj si dhe për rastin dhe numrin aktual të dëshmitarëve që janë marrë në pyetje deri më tani.

Në veçanti, u diskutua thjeshtimi i çështjes së Prokurorisë dhe Kryetari i trupit gjykues i dha Prokurorisë afat që deri më 21 maj për të dalë me një vlerësim të ri, të reduktuar të numrit të dëshmitarëve të mbetur për t’u thirrur. U diskutuan edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me përmirësimin e efikasitetit të çështjes, duke përfshirë rendin e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria, kohën e parashikuar për marrjen në pyetje të dëshmitarëve nga ekipet e mbrojtjes dhe mundësinë e seancave të rregullta për të diskutuar ecurinë e rast.

Ekzistenca e një sallë gjyqi nuk është diskutuar si pengesë për procedura efikase. Nëse shikoni kalendarin gjyqësor të seancave të planifikuara, do të shihni se ka hapësirë për të caktuar seanca të mëtejshme nëse është e nevojshme. Në të vërtetë, javën e kaluar Trupi Gjykues caktoi disa seanca të reja për vitin 2024.

Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara të Kosovës janë të përkushtuar që gjykimet t’i zhvillojnë në mënyrë të shpejtë, duke garantuar të drejtat e gjykimit të drejtë të të akuzuarve dhe mbrojtjen e dëshmitarëve. Për shembull, në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve, Trupi Gjykues vazhdimisht ka lëshuar urdhra me qëllim të organizimit të dëshmive të dëshmitarëve dhe paraqitjes së provave sa më efikase”.

Përgjigja e fundit e dhënë nga Doyle duket se vë në pah dallimin mes asaj që thuhet dhe mes realitetit që qëndron në terren.

Kanë kaluar mbi 3 vjet prej që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi u arrestuan nga Specialja. Prej atëherë, atyre u është refuzuar çdo kërkesë për lirim nga paraburgimi. Në raste të shpeshta u janë kufizuar komunikimet, vizitat e aktivitetet. Si rrjedhojë e mos-gatishmërisë së prokurorisë, ndaj tyre gjykimi nuk ka nisur deri në prill të vitit që lamë pas.

Duhet theksuar po ashtu që është vet prokuroria ajo që kishte propozuar rreth 320 dëshmitarë dhe numrin e orëve që iu duhen për t’i përfunduar.

Janë vetëm 47 dëshmitarë që kanë dalë në sallën e gjyqit deri më tani, dhe 80 % e tyre në seanca terësisht të mbyllura, me kërkesë të prokurorisë.

Prokuroria ka paralajmëruar se do të reduktojë një numër të dëshmitarëve.

Zëdhënësi Doyle ka thënë se gjyqtarët kanë kërkuar nga palët që t’i reduktojnë projeksionet, në mënyrë që gjykimi të arrihet drejt fundit, dikur kah prilli 2025.