Duke folur për ndikimin rus në RMV, zëvendëskryeministri Artan Grubi në Euronews Albania ka folur edhe për bashkëpunimin e partive shqiptare me forca të cilat sipas tij, nuk ja duan të mirën vendit po edhe rajonit.


Thotë se opozita shqiptare e krijuar nga derivatet e BDI-së është vënë në shërbim të plotë të VMRO-DPMNE-së opozitare e cila sipas Grubit nuk shfaq asnjë element konstruktiv për të ndryshuar kushtetutën, raporton indeks.mk

Sipas Grubit, partitë shqiptare opozitare janë krijuar në bazë të principatave, çdo qytet nga një parti dhe kjo ka bërë që të përçahet dhe minimizohet forca e votuesit shqiptarë.

Shton se të gjitha partitë shqiptare opozitare në mënyrë të hapur kanë bashkëpunuar me “Levicën”, pro-ruse e cila nuk njeh as pavarësinë e Kosovës po është edhe kundër Marrëveshjes së Ohrit.

“Bashkëpunimi me forca, të cilat nuk ja duan të mirën vendit, rajonit, nuk janë të orientuara drejtë BE-së, I bën bashkëpunëtorë drejtpërdrejtë, apo indirekt, me forca të cilat janë pro-rusisë dhe kundër Europës. VMRO-DPMNE-ja nuk shfaq asnjë element konstruktiv për të ndryshuar kushtetutën dhe për të future RMV-në në Bashkimin Evropian dhe ti si opozitë kur vihesh në shërbim të drejtpërdrejtë të kësaj politike, i bije që kontribuon në largimin e RMV-së nga BE, me ç’rast do të largohet edhe Shqipëria sepse nuk po i mundësohet ndarja. Opozita shqiptare që është e përbërë nga derivatet e BDI-së të cilët nuk e kanë gjetur veten në kuadër të strukturave të BDI-së dhe janë larguar, shkëputur duke krijuar partiçka të tyre të vogla në bazë të principatave, një nga Shkupi, një nga Tetova, një nga Gostivari, një nga Struga e një nga Kumanova duke përçarë votën shqiptare dhe duke e bërë të njëjtin të parëndësishëm sepse secila prej ktyre do fiton, një ose dy deputet dhe nuk do kenë potencë në Parlamentin e ardhëshëm që të diktojnë politika dhe të jenë të barabartë me partnerin maqedonas siç është BDI-ja. Të gjithë këto, kanë bashkëpunuar me “Levicën” e Dimitar Apasiev, e cila është haptazi, pro-ruse, e cila kundërshton anëtarësimin e RMV-së në NATO dhe BE, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe dëshiron ta zhbëj, marrëveshjen e Ohrit”, deklaroi Grubi./indeks.mk/