Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë kësaj jave do të qëndrojë për vizitë në Kosovë ku në mesin e temave që do të diskutojë gjatë takimeve do të jenë dialogu dhe dinari.


Siç bën të ditur Departamenti amerikan nga datat 10 deri më 18 mars, Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë  dhe Malin e Zi, njofton Klankosova.tv.

“Në Kosovë, ai do të takohet me udhëheqësit e qeverisë së Kosovës, shoqërinë civile dhe komunitetin serb të Kosovës për të nënvizuar mbështetjen e vazhdueshme të fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

“Përfaqësuesi Special do të zhvillojë takime për ndikimin e rregulloreve të reja të Bankës Qendrore të Kosovës në operacionet me para të gatshme dhe hapat urgjent për të siguruar që nevojat e qytetarëve të Kosovës të përmbushen plotësisht dhe pa ndërprerje”, bëhet e ditur më tej në njoftim, transmeton Klankosova.tv