Dështojnë bisedimet në Bruksel, asnjë përparim për çështjen e dinarit, Lajçak: Do të takohemi sërish javën e ardhshme

Përpjekje e re, skenar i vjetër: Kjo ishte panorama e takimit të fundit të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku palët paraqitën propozimet e tyre për çështjen e dinarit, nuk ranë dakord dhe pastaj kaluan tek akuzat kundër njëri-tjetrit.


Për të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun megjithatë, takimi nuk ishte një tentativë e shkuar dëm krejtësisht, sepse propozimet e paraqitura aty nga Prishtina e Beigradi, siç tha ai, qartësuan shumë gjëra. Lajçak shkroi në platformën X se që javën e ardhshme me 4 prill, kur palët të takohen sërish në kryeqytetin belg, të gjendet një zgjidhje për dinarin.

“Ne u ripajtuam që të takohemi prapë javën e ardhshme me ambicien që të gjejmë një zgjidhje”, shkroi Lajçak. Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se dallimet janë të mëdha, ndërsa propozimin e Prishtinës e cilësoi si konstruktiv.

“Propozimi ynë mundëson që që mbështetja financiare të shkojë te përdoruesit final. Por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e Bankës Qendrore (BQK) dhe korniza legjislative e vendit tonë, për arsye se fokusi ynë ka qenë qytetari për të cilin jemi të bindur se ka nevojë dhe duhet të ketë mundësi të pranojë edhe më tej mbështetjen financiare të cilin shteti i Serbisë e ka paguar deri më tani”, u shpreh ai.

Për kryenegociatorin serb Petar Petkovic, propozimi i Kosovës sakaq nuk ofron zgjidhje konkrete e “nuk çon drejt një zgjidhje kompromisi”, ndërsa e përshkroi propozimin serb si më të balancuar. Nga të dy krahët sakaq pati ankesa për mungesë të vullnetit politike për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.