Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për përfshirje në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Milan Mihajloviq është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për përfshirje në rastin e vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.


“Jo”, tha Mihajloviq kur u pyet se a ndihet fajtor. Ai akuzohet për katër vepra penale.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Mihajloviq e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Burim Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më pas, gjykatësi i rastit Lutfi Shala e njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij, avokati Miodrag Brkljaq se brenda 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Ndryshe, seanca e paraparë për 29 shkurt 2024, kishte dështuar për shkak se avokati Brkljaq nuk ishte pajisur me shkresa të lëndës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 27 dhjetor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviq, të cilin e ngarkon me katër vepra penale.

Sipas aktakuzës, Mihajloviq akuzohet për pjesëmarrje në grupin kriminal të organizuar, pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare, kanosje dhe për falsifikim të dokumenteve.

Akuza thotë se i njëjti, nga viti 2014 e tutje, si anëtar i grupit të organizuar dhe i strukturuar kriminal së bashku me Nedelkjo Spasojeviq, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, duke vepruar nën udhëheqjen e Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, me role të caktuara dhe në bashkëpunim ndërmjet vete kanë vepruar për një periudhë të gjatë kohore, ku secili nga të pandehurit kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllime të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi ka ardhur deri tek vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.