Tiranë: Përleshje me policinë në protestën e opozitës para Kryeministrisë

Qindra qytetarë shqiptarë u tubuan të martën para Kryeministrisë në Tiranë, në protestën e thirrur nga grupimi opozitar “Rithemelimi”, që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha.


Berisha iu drejtua protestuesve nga masa e ‘arrestit shtëpiak’ që i nënshtrohet tani, për shkak të hetimeve për privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” – rast që dyshohet për korrupsion.

Ai u shfaq përmes një video-linku dhe nisi akuza kundrejt qeverisjes së Ramës.

“Gjatë sundimit 10-vjeçar të tij, si kurrë ndonjëherë më parë, një milion shqiptarë u larguan nga Shqipëria dhe integrimi evropian i vendit u shndërrua në një horizont që largohet çdo ditë e më shumë”, tha Berisha.

Ai kritikoi edhe sistemin e drejtësisë, por edhe ndërkombëtarët, duke thënë se “diplomatë dhe ambasadorë të korruptuar nga narkoqeveria i frynë qëllimisht zjarrit të përçarjes dhe konfliktit midis opozitës.

Sipas tij, 33 vjet pas rrëzimit të shtatores së ish-diktatorit Enver Hoxha”, sot shqiptarët nuk kanë në shesh bustin e Enverit, por shtatoren e gjallë të diktatorit, Edi Rama.”

Pas fjalimit të Berishës, një pjesë e protestuesve u përplasën me forcat e policisë së rreshtuara përballë ndërtesës së Kryeministrisë.

Ata hodhën tymuese dhe koketje motolovi dhe rrëzuan mburojën metalike të vendosur mes protestuesve dhe policisë.

Situata e tensionuar zgjati disa minuta dhe me ndërhyrjen e policisë dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, gjendja u qetësua dhe protestuesit u shpërndanë.

Kësaj proteste iu bashkua edhe Gazmend Bardhi dhe deputetët që e mbështesin atë, një grupim brenda Partisë Demokratike.

Ky fraksion i është bashkuar pak ditë më parë grupimit “Berisha” edhe në mbledhje të përbashkëta, por edhe në protestat që mbahen çdo pasdite pranë banesës së Sali Berishës.

Ndërkaq, protestës nuk i janë bashkuar as përfaqësuesit e asaj që njihet si Partia Demokratike zyrtare dhe as përfaqësues të aleatit kryesor të Berishës, Partia e Lirisë së Ilir Metës.

Rreth 1.000 forca të policisë mbikëqyrën protestën./REL