Njihuni me aktoren e re dhe plot shpresë, Shpresa Hashimi: Si fëmijë e kam ëndërruar vetën në skenë!

23 shkurt 2024 – Shpresa Hashimi është një aktore e re dhe e talentuar nga fshati Pirok i Tetovës. Pas përfundimit të fakultetit të arteve në Universitetin e Tetovës, ajo u punësua në Teatrin e Tetovës, ku ka luajtur disa role në vend dhe jashtë.


Me paraqitjet e saj ka arritur që shumë shpejt të futet në zemrat e publikut shqiptar dhe jo vetëm.

Për dy vite ka punuar edhe në Radio. Tani ajo po vazhdon magjistraturën për Film dhe Tv në Eskishehir të Turqisë, ku ka arrritur të jetë edhe pjesë e kinematografisë turke.

Në një intervistë për Open-TV, Shpresa ka treguar çka e ka tërhequr që të merret me aktrimin.

“Për gjërat që duam me shpirt në jetë ndonëse nuk kemi ndonjë shpjegim, por thjesht i duam, e ndjejmë vetën mirë brenda asaj bote.

Mendoj që aktrimi ka lindur bashkë me mua, që fëmijë kam ëndërruar vetën në skenë dhe e kam ditur që ky është profesioni i duhur për mua. Aktrimi mendoj që është mësim jete, për shkak se në një profesion t’i ke mundësinë të përjetosh të gjitha profesionet. Aktrimi të jep mundësinë të përjetosh ndjenjën e të qenurit mësues, ndjenjen e të qenurit ushtar, madje ndjenjën e të qenurit edhe pilot.

Aktrimi është një profesion sa i këndshëm, aq edhe i vështir për shkak se është një profesion shpirtëror. Pra, një aktor gjithëherë armë kryesore e ka shpirtin e tij, si do të kishte një muzikant instrumentin, ose një piktor ngjyren”, u shpreh Shpresa, aktorja ambicioze për të vijuar:

“Si një aktore e re në Teatrin e Tetovës kam punuar me regjisorët si Qëndrim Rijani ‘Opera për tre grosh’- Bertold Breht dhe Gent Çajani me shfaqen ‘Të Mallkuarit’.

Kam marrë pjesë në serialin për fëmijë ‘Nikoqirët’ në kastën kryesore.

Me regjisorin Kosovar, Faton Bajraktari, kam patur gjithashtu një rol shumë domethënës, gazetare e huaj në luftën e Kosovës.

Gjithashtu në serialin ‘Shkallët’ me regji të Musa Isufit kam luajtur infermieren”, tregon ajo.

“Kohët e fundit jam më shumë në Turqi me studime, ku atje kam patur mundësinë të luaj edhe dy role në film të metrazhit të gjatë, të cilat së shpejti do të shfaqen në televizion. Jam pothuajse në përfundim të studimeve master drejtimi Film dhe TV”, përfundoi intervistën për Open-TV, aktorja plot shpresë Shpresa Hashimi.