Nëna e 4-vjeçares: Për vdekjen e vajzës u njoftova përmes facebookut, e kishin numrin tim por nuk më telefonoi askush (VIDEO)

Nëna e 4-vjeçares, flet për vdekjen e vajzës në “Kosova today”


Nëna e 4-vjeçares, e cila vdiq, tha se kur vajza e saj u nis për tu trajtuar në Prishtinë, autoambulanca nuk e ka marrë me vete, dhe pasi ajo ka vdekur askush nga stafi i spitalit nuk e ka njoftuar për vdekjen e saj.

“Autoambulanca ka ikur, nuk na ka marrë me vete, ne i thoshim na merr me vete, nuk më kanë marrë. Më thanë; ‘Jo nuk bën’ ”.

“Që vajza na vdekur e kemi marrë vesh në telefona, nuk na kanë treguar. Përmes Facebookut e kanë qitë, as nuk e kam ditur”, shtoi ajo në “Kosova today”, emisionin e Klan Kosovës.

“Ne nuk kemi ditur asgjë, vajza më ka ndërruar jetë në tetë të mëngjesit, dhe dikur në aksham kur po e shohim se krejt lagjja erdhën te dera. Unë thash çfarë ndodhi, kur po hynë këta po na tregojnë që e kanë qit aty. E kanë pasur numrin e telefonit nuk na kanë lajmëruar”.

Ajo tha se nuk i janë treguar shkaqet e vdekjes së vajzës, veç se në Prishtinë i është thënë që vajza ka virus. Nëna  e 4-vjeçares thotë se nuk e di sigurt shkakun e vdekjes, por se një apo dy javë më herët e ndjera i ishte ankuar për dhimbje të barkut.

“Një javë apo dy, para se të ndodhte rasti, vajza është ankuar duke më thënë se ka dhimbje barku, dhe thoshte se ‘bubat po i ecin nëpër bark’”.