Messi i dhuroi shokut të skuadrës një nga trofetë e tij më të mëdha

Lionel Messi ka aq shumë trofe në koleksionin e tij sa edhe mund t’i dhurojë ata.


Përveç trofeve të fituar me klube e kombëtare, ylli argjentinas numëron një numër të madh të trofeve të fituar edhe në aspektin individual.

Shumicën e trofeve ai i fitoi gjatë periudhës së tij 17-vjeçare te Barcelona dhe Messi zbuloi se “gjithçka” që zotëron është në muzeun e klubi katalunas, përfshirë “Topat e Artë” e “Këpucët e Arta”.

Por, një trofe përfundoi diku tjetër dhe ka një histori interesante, shkruan “SportBible”.

Çmimi i fituar nga 36-vjeçari si “Lojtari më i mirë” në La Liga për sezonin 2020/21 iu dhurua bashkëkombësit të tij, Leandro Paredes, me të cilin tetë herë fituesi i “Topit të Artë” ka luajtur edhe te Paris Saint-Germaini.

Paredes nuk ka luajtur kurrë në Spanjë, por kur Messi iu bashkua në Paris, ai i kërkoi trofeun në fjalë.

“Ai [Messi] mbërriti në Paris, e pyeta nëse do të ma jepte dhe ai ma dha mua”, kujtoi 29-vjeçari.

Mesfushori argjentinas u tregoi gazetarëve gjëra rreth shtëpisë së tij në Torino në kohën sa ishte i huazuar te Juventusi.

Por, ndërsa shumica e gjërave ishin nga karriera e tij, duke përfshirë trofe, fanella, topa, ai nuk mund të mos zgjidhte çmimin e Messit.