Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha se raportet mes Prishtinës dhe Uashingtonit nuk janë në nivel shqetësues dhe për panik, përderisa Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se vendimi për ndalimin e dinarit serb kanë ndikuar në cilësinë e raporteve mes shteteve.


“I mirëkuptojmë plotësisht vërejtjet e kritikat që na japin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këto janë gjithmonë kritika me vend, sepse SHBA-ja e sheh Kosovën nga një nivel shumë më të lartë sesa që e shohim ne gjendjen”, tha Konjufca gjatë një prononcimi për media më 21 shkurt.

Ai tha se SHBA-ja e sheh Kosovën nga aspektin rajonal, evropian dhe nga konteksti i përgjithshëm global.

“Qysh e shohim ne, është e drejta e shtetit të Kosovës të shtrijë sundimin e ligjit dhe sovranitetin e vetë. Kjo është perspektivë më e ulët, më ngushtë, por është perspektivë e të drejtës së Kosovës që të kryejë punët e veta”, tha Konjufca.

Që nga 1 shkurti, në Kosovë ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

SHBA-ja ka thënë se kjo rregullore, që përjashton përdorimin e dinarit serb nga kryerja e pagesave, nuk është bërë me konsultim paraprak dhe nuk ka marrë për bazë ndikimet që mund të ketë te popullata serbe.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka deklaruar se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të.

Pas kësaj deklarate të zyrtarit të lartë amerikan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-në.

Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka thënë se vendimi i ndalimit të dinarit, veçse ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Uashingtoni i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e vendimit, ndërkaq autoritetet në Kosovë kanë thënë se vendimi do të zbatohet përmes një periudhe tranzitore lehtësuese, jo më të gjatë se tre muaj.

“Vërejtjet e tyre nuk kanë lidhje me legalitetin e veprimeve tona. Ata na japin të drejtë, por duhet më shumë përgatitje kanë thanë. Pse duhen më shumë përgatitje? Sepse kjo mund t’i acarojë serbët dhe dikush mund ta shfrytëzojë situatën dhe ta keqpërdorë këtë gjendje, të bëjë ndonjë protestë. Kur ka protesta ka tensione, kur ka tensione mund të rrezikohet siguria. Kjo është perspektiva e SHBA-së, a e jona është që duhet të bëhen këto veprime”, tha Konjufca.

Kryeparlamentari i Kosovës shtoi se është e mundur që për vendime të tilla, informacionet të ndahen me partnerët paraprakisht, “dhe mendoj që Qeveria këtë tashmë është duke e bërë”.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.

Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.

Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve./REL