Hoti: Tenderët njëburimor janë rritur si kurrë më parë – të aktivizohen mekanizmat e hetimit parlamentar

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklauar se tenderët njëburimor janë rritur si kurrë më parë.


Ai i është referuar një raporti të Bashkimit Evropian, ku thuhet se 21% e prokurimeve janë kryer përmes negocimit pa procedurë të hapur tenderuese.

Sipas tij, shteti po paguan më shtrenjtë krahasuar me tenderimin e hapur me shumë oferta, raporton Express.

Ai ka kërkuar që të të ndërmerret një auditim gjithëpërfshirës për këtë çështje, si dhe të aktivizohen mekanizmat e hetimit parlamentar për të ekzaminuar këtë problem, “i cili potencialisht po i kushton buxhetit miliona euro humbje”.

“Tenderët njëburimor janë rritur si kurrë më parë. Raporti i BE-së thekson se 21% e prokurimeve janë kryer përmes negocimit pa procedurë të hapur tenderuese. Vlera e kontratave të nënshkruara me negocim është 78 milionë euro, apo 14% e gjithë vlerës së kontratave të nënshkruara. Me siguri shumë të madhe, shteti po paguan më shtrenjtë krahasuar me tenderimin e hapur me shumë oferta”, ka shkruar Hoti.

Ai ka përmendur edhe numrin e lartë të ankesave që po dorëzohen në Organin Shqyrtues të Prokurorimit.

Hoti ka thënë se “Është e pakuptueshme që nuk aktivizohet plotësisht prokurimi elektronik i instaluar që nga Qeveria Mustafa, i cili duhet të lidhet me të gjitha sistemet në institucione të ndryshme për të siguruar transparencën e plotë”.