Takim i presidentit Pendarovski me Abdullah bin Muhamed Al Sheikh, kryetar i Kuvendit të Arabisë Saudite

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski sot ka pritur Abdullah bin Muhamed Al Sheikh, kryetar i Kuvendit të Mbretërisë së Arabisë Saudite (Mexhlisi al Shura) i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.


“Në takim u shpreh kënaqësia për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale të karakterizuara nga miqësia dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, si dhe u theksua se bashkëpunimi mes dy vendeve është intensifikuar viteve të fundit, gjë që konfirmohet nga aktivitetet e shumta nga të dyja palët. Në këtë drejtim, presidenti Pendarovski ka theksuar se me vizitën e sotme pret forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit parlamentar që është segment i rëndësishëm i marrëdhënieve të përgjithshme bilaterale të dy vendeve”, informojnë nga kabineti i Pendarovskit.

Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime dhe informacione për situatën aktuale në Lindjen e Mesme në kontekst të siç thuhet në kumtesë, “pozicionit të rëndësishëm të Arabisë Saudite në botën arabe”.

“Në këtë drejtim presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut vlerëson rolin e Mbretërisë së Arabisë Saudite në përpjekjet për stabilizim të rajonit të Lindjes së Mesme. Njëherësh, presidenti Pendarovski theksoi se për të gjitha çështjet e sigurisë në Evropë, si dhe në Lindjen e Mesme dhe në rajon, Maqedonia e Veriut është e harmonizuar me qëndrimin e BE-së dhe koordinon politikat e saja në kuadër të BE-së dhe me vendet partnere në NATO-s”, kumton kabineti i presidentit.

Në takim është biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ku presidenti Pendarovski ka uruar për EKSPO 2030 që do të mbahet në Riad.

“EKSPO 2030, siç theksoi presidenti Pendarovski do të paraqesë vlerë të shtuar në marrëdhëniet mes dy vendeve mike dhe do të ndikojë në ekonominë e Maqedonisë së Veriut në fusha të ndryshme si energjetika, turizmi, bujqësia dhe përpunimin e ushqimit, patundshmëri, industri”, thonë nga kabineti i Pendarovskit.