Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, u takua me kongresmenen Lisa MekKlejn, e cila është bashkëkryetare e Grupit të Kongresit për Maqedoninë dhe amerikanët me origjinë maqedonase.


Duke shprehur mirënjohjen e tij për kongresmenen McClain, në emër të tij dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ministri Spasovski, siç njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme, theksoi përfitimet e angazhimeve të Grupit të Kongresit për Maqedoninë.

“Mund të them se amerikanët me origjinë maqedonase janë integruar me sukses në jetën shoqërore amerikane dhe marrin pjesë në baza të barabarta në liritë qytetare  dhe fetare, si dhe në mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, gjë që i bëri ata aktorë të rëndësishëm në komunitetin amerikan’’, tha Spasovski, duke shtuar se Republika e Maqedonisë së Veriut ndjek të njëjtin model.

Republika e Maqedonisë së Veriut, tha ai, synon të miratojë dhe përmirësojë këtë model, duke punuar drejt krijimit të një shoqërie ku të gjithë kanë mundësi  të barabarta për sukses.

“Ne jemi krenarë të themi se ky shkëmbim i dyanshëm kulturor dhe social pasuron dhe përmirëson përvojën e jetës si në Republikën e Maqedonisë së Veriut ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke krijuar ura mirëkuptimi dhe bashkëpunimi që kapërcejnë distancën gjeografike dhe bashkojnë komunitetet në qëllimet dhe vlerat e përbashkëta”, tha Spasovski.

Me këtë rast, ministri Spasovski kërkoi mbështetje për procesin e liberalizimit të vizave për Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe për miratimin e Projektligjit për demokraci dhe prosperitet në Ballkanin Perëndimor.

Kongresmenja MekKlejn shprehu kënaqësi të veçantë për takimin e sotëm, duke theksuar me këtë rast bashkëpunimin dhe marrëdhëniet e shkëlqyera me komunitetin maqedonas në SHBA, i cili kultivohet  dhe mbijeton me një marrëdhënie të ndërsjellë respekti dhe bashkëpunimi. Për iniciativat e propozuara për mbështetje nga ministri Spasovski, MekKlejn theksoi se me kënaqësi  do të ndihmojë në forcimin dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona mike.