Përfundon mbledhja e nënshkrimeve në Mitrovicën e Veriut, të hënën i dorëzohen Kryesuesit

Ka përfunduar mbledhja e nënshkrimve në kuadër të peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.


Sipas anëtarës se Grupit Iniciues Sanja Krtiniq janë mbledhur mjaftueshëm nënshkrime.

“Kemi mbaruar me mbledhjen e nëshkrimeve dhe sot kemi punuar deri në orën 16:00. Përpunimi i informacionit dhe numërimi i nënshkrimeve është duke u zhvilluar”, ka thënë ajo.

Sipas Kossev (medium në gjuhën serbe në Veri), Krtiniq nuk ka mundur të konfirmojë saktësisht se sa nënshkrime janë mbledhur, por ka thënë se është e sigurt se janë më shumë se sa duhet.
“Shpresoj që së shpejti të më njoftojnë se sa janë nënshkruar gjithsej, por ne e kemi tejkaluar numrin”, tha ajo.

Nënshkrimet nga kjo komunë, të 3640 votuesve, duhet t’i dorëzohen kryetarit të Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut deri më 22 janar.

Krtiniq njofton se ato do t’i dorëzojë në afatin e përcaktuar pra të hënën.

“E hëna sigurisht dita e fundit e afatit për ne. Sinqerisht shpresoj se nuk do të ketë më pengesa, sepse ne e bëmë punën si duhet, pa parregullsi”, tha Krtiniq.

Pas dorëzimit të peticionit me nënshkrime, kryetari i kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut ka tre ditë kohë për ta përcjellë atë në KQZ, e cila më pas i kontrollon dhe i shqyrton ato.

Hapi tjetër i planifikuar është organizimi i një referendumi për të votuar për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbështetet nga 50 për qind plus 1 votues.

Krtiniq është i sigurt se referendumi do të jetë i suksesshëm.

“Ne as nuk do të kishim nisur këtë proces nëse nuk do të mendonim se nuk mund ta çonim deri në fund”, theksoi ajo.

Mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut ka filluar të martën.Në të njëjtën ditë, procesi filloi në Leposaviq.

Në anën tjetër, procesi i mbledhjes së nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve të komunave në Zveçan dhe Zubin Potok ka nisur sot./reporteri