VMRO DPMNE-ja nuk lëkundet nga qëndrimi. Nuk do ta votojë qeverinë teknike të udhëhequr nga Talat Xhaferi. Nënkryetari i partisë Aleksandar Nikollovski në intervistë për Alsat tha se kjo parti nuk ka problem me përkatësinë etnike të Xhaferit por nuk e mbështetësin për shkak se ai dhe eksponentë të tjerë të BDI-së janë të komprometuar për shkak të aferave korruptive.


“Ne nuk kemi problem me përkatësinë etnike, ne kemi problem me kapacitetin jo vetëm të Xhaferit por të gjithë strukturës politike që e mbështet. E dini se jemi kritik i zëshëm i asaj që BDI-ja e bën vitet e fundit në Maqedoni. E kemi thënë qartë se nuk i shohim si partner në të ardhmen. Nuk mendojmë se njerëz të komprometuar në atë mënyrë që për fat të keq pushtetin e përdorin për interesa personale mund ta çojnë vendin në një proces të qetë zgjedhor”, theksoi Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO DPMNE-së.

Por, a do të votonit për ndonjë kandidat tjetër të BDI-së për kryeministër teknik?

“Jo, këdo që do ta propozonte BDI-ja, nuk dua të përmend emra që mos të keqkuptohem, ne nuk do ta votonim, respektivisht qëndrimi ynë do të ishte njëjtë sikurse tani”, tha Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO DPMNE-së në intervistë për Alsat.