Kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti thotë se Aleanca për Shqiptarët është e mirëseardhur në opozitë, përcjell TV21. I pyetur për ofertën të cilën LEN-i i ka bërë ASH-së, Mexhiti thotë se e njëjta nuk përmban numra apo pozicione, por angazhim për sjelljen e ndryshimit. Mexhiti tha se 2/3 e anëtarësisë së ASH-së mbështesin idenë që kjo parti t’i bashkohet opozitës, respektivisht Lidhjes Europiane për Ndryshim.


“Opozita shqiptare dhe këto katër subjekte që jemi brenda opozitës shqiptare, nuk kemi folur për numra. Kemi tejkaluar ngjyrat individuale, ngjyrat partiake, pra neve na ka bashkuar, pra fokusi është përcjellur te ajo që kërkojnë qytetarët, pra ta sjellim ndryshimin në RMV dhe oferta e jonë është që t’i bashkëngjitet opozitës shqiptare për ta sjellur ndryshimin që pritet nga qytetarët, sidomos nga Aleanca për Shqiptarët, që është themeluar, është ngritur mbi politikat anti-BDI. Këtë e flasin edhe anketat e tyre, ku mbi 2/3 e votuesve të anëtarësisë së ASH-së e duan bashkimin me opozitën shqiptare, dhe kur e thonë këtë, këta që e duan ASH-në, nuk e kanë me rëndësi ndarjen e numrave, pozicioneve, e kështu me radhë”, tha Mexhiti.