Kovaçevski: Nuk mund të paragjykoj kush do të jetë kandidat i LSDM-së për President

Kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski deklaroi se nuk mund të paragjykojë se kush do të jetë kandidat i partisë së tij për President të shtetit, përcjell KlanM. Kovaçevski ka deklaruar se presidenti aktual, Stevo Pendarovski po e kryen me sukses mandatin e tij por nuk mund ta dijë prej tani cili do të propozohet si kandadat nga organet e partisë. LSDM tashmë ka filluar procedurën për nominimin e kandidatëve të mundshëm për kryetar të shtetit.


Kreu i LSDM-së njoftoi se gjatë ditës së djeshme janë mbajtur takimet e para në nivel të kryesive komunale dhe pritet të fillojnë proceset e nominimit në të gjitha organizatat lokale. Ndërkohë presidenti Stevo Pendarovski në paraqitjen e tij të fundit në mediat tha se më së voni në gjysmën e dytë të shkurtit do të njoftojë nëse do të kandidojë për mandatin e dytë presidencial.

 “Unë e kam thënë disa herë se në atë garë nominimi të gjithë kandidatët e mundshëm kanë pozitë të barabartë, sepse kështu e dikton statusi i LSDM-së. Për sa i përket Pendarovskit, ai po e kryen me sukses mandatin e tij presidencial, ai u qëndroi vlerave që i mbështesin partnerët e koalicionit dhe që e mbështetën kandidaturën e tij kur u zgjodh president. Ai gjithashtu mbështeti integrimin evropian të vendit dhe besoj se i trajtoi të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë së tyre mbi çdo bazë. Për momentin mund të flas se çfarë vlerash duhet të ndajë një kandidat që do të përkrahet nga koalicioni, por nuk mund të paragjykoj se kush do të jetë kandidati sepse kjo do të ishte joetike dhe mosmirënjohëse”, deklaroi Dimitar Kovaçevski.