EMRI/ Arrestohet 26 vjeçari, transportonte 4 emigrantë në mënyrë të paligjshme në Korçë-Qafë Thanë

Policia e Korçës njofton se në kuader te operacionit “Midnight 24” u arrestua Klevi Jashari.


Njoftimi i DVP Korçë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Midnight 24”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesave, për kalim të paligjshëm të kufirit.

U kap duke transportuar me automjet, 4 emigrantë, kundrejt pagesës, vihet në pranga një 26-vjeçar.

Sekuestrohet një celular dhe automjeti, me të cilin po transportoheshin emigrantët.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, drejt vendeve të BE-së, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë-Elbasan, si dhe me mbështetjen e informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, finalizuan operacionin policor të koduar “Midnight 24”.

Si rezultat i këtij operacioni u vu në pranga shtetasi K. J., 26 vjeç, banues në Tiranë.

Në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të vendit të quajtur Qafë Plloçë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Toyota”, me drejtues shtetasin K. J. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u konstatuan 4 emigrantë të paligjshëm, të cilët do të transportoheshin nga ky shtetas kundrejt pagesës, drejt vendeve të BE-së.

Në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin u sekuestrua dhe celulari i 26-vjeçarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.