Drejtësi për gazetarët, dënime për sulmuesit e lirisë së medies

Çfarë parashikojnë ndryshimet në Kodin Penal për sulmet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medies? A është korniza ligjore e mjaftueshme për të mbrojtur gazetarët në mënyrë që të kryejnë pa pengesa detyrat e tyre profesionale? A do të zbatojnë gjykatat dispozitat ligjore? Cilat janë sulmet dhe kërcënimet më karakteristike ndaj gazetarëve/punonjësve të medies gjatë këtij viti? Si reaguan Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike ndaj sulmeve? Cilat ishin reagimet e SHGM-së dhe komunitetit mediatik? A ka shteti kapacitetet për të mundësuar mbrojtjen e lirisë së medies?


Shkruan: Arta TAHIRI

E papritur, por faktet janë kokëfortë! Sulmet dhe kërcënimet fizike ndaj gazetarëve dhe kameramanëve nuk po ndalen, edhe përkundër ndryshimeve ligjore në Kodin Penal, të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 14 shkurt 2023, të cilat parashikojnë dënime me burg për sulmuesit e gazetarëve dhe punonjësve të medies…….

Sipas ndryshimeve në Kodin Penal , për kërcënimet me jetë ndaj punonjësve të medies, sulmuesit do të dënohen me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Nëse kërcënimi shkakton një ndjenjë frike ose pasigurie, dënimi mund të arrijë deri në një vit burg. Në rast se ndaj këtyre personave ushtrohet dhunë, atëherë dënimi me burg është nga tre muaj deri në tre vjet”, raportoi portali Meta.

Edhe pas periudhës së verës së këtij viti ndodhën katër sulme ndaj gazetarëve.

Sulm ndaj kameramanit të TV 24

Më 18 korrik të këtij viti, kameramani i TV 24, Ivan Kamçev, duke u kthyer nga inçizimi me një koleg të RTVM-së, ishte dëshmitar i një aksidenti trafiku në rrugën Gradsko – Prilep afër Rosomanit. “Në tentativë për të dokumentuar ngjarjen, kameramani Kamçev është sulmuar verbalisht dhe më pas fizikisht, me ç’rast i janë dëmtuar pajisjet. Rasti është raportuar në MPB, SPB Veles, nga ku menjëherë pas kallëzimit janë marrë masa për zbardhjen e tij”, raportoi TV 24.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë e dënoi ashpër sulmin verbal dhe fizik ndaj kameramanit të TV 24. Kërkoi nga MPB-ja dhe Prokuroria Themelore Publike që të bëjnë hetim të shpejtë dhe efikas në interes të gjetjes dhe sanksionimit të sulmuesit.

PTHP Kavadar ka ngritur aktakuzë kundër një 43-vjeçari nga Rosomani për veprën penale të pengimit të një zyrtari në kryerjen e veprimit zyrtar nga neni 382 i Kodit Penal.

Berberi në përpjekje për të shkurtuar lirinë e gazetarëve të Alsat

Më 21 gusht, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, një berber 53-vjeçar ka sulmuar fizikisht ekipin e televizionit Alsat, ndërsa para kësaj i kishte kërcënuar dhe ofenduar ashpër. Ai ka goditur pa asnjë arsye kameramanin në kokë dhe në trup, duke shkaktuar ankth dhe frikë edhe tek dy gazetaret.

Era Gjakova dhe Sara Hoxha janë dy vajza të reja që në gazetari hynë me entuziazëm dhe vullnet të madh për të pasur perspektivë në profesion. Ata janë të angazhuar në pjesën jo-informative të skemës programore të Televizionit Alsat.

Puna e tyre është në studio, por edhe në terren. Ata së bashku me kameramanin e Alsat-it, Burhan Jusufi, më 21 gusht të këtij viti kanë dalë për të “fituar bukën” në Çarshinë e Shkupit, por papritmas, fillimisht verbalisht, e më pas edhe fizikisht, janë sulmuar nga një “berber”! Profesionin e tij e vendosim në thonjëza, sepse ky dhe shumë të tjerë i përkasin esnafit, ndërsa esnafi do të thotë njeri i drejtë, i ndershëm dhe fisnik.

Era Gjakova, për nevojat e këtij teksti ka deklaruar se: “Gjatë inçizimit, sulmuesi ka filluar të na ofendojë, të shajë dhe të kërcënojë me jetë, ndërsa në duar mbante një send të mprehtë (gërshërë). Ne menduam se kishte mbaruar kur sulmuesi u kthye në dyqanin e tij. Njerëzit që ndodheshin në vendngjarje na ndihmuan të qetësoheshim, por kishte shumë prej tyre që na bindën të mos e denonconim në polici. Por përkundër kësaj e kam denoncuar dhe policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka mbledhur të dhënat për rastin”, thotë Gjakova. Ajo sqaroi se kanë shkuar në Spitalin e Qytetit, kameramani ka bërë kontroll, dhe inspektorët janë njoftuar me të gjitha detajet. “Mendoj se policia por edhe hetuesit kanë vepruar me shpejtësi dhe me profesionalizëm në këtë rast”, tha Gjakova.

Përveç kameramanit Jusufi dhe gazetares Gjakova, në Çarshi është sulmuar edhe gazetarja Sara Hoxha. Ajo na tha se ngjarja i ka krijuar shumë stres. “Nuk kemi pasur asnjë pikë kontakti profesional me personin, sepse nuk kemi bërë një intervistë me të. Policët e bënë punën e tyre mirë dhe me shumë profesionalizëm”, na tha Hoxha. Si ajo, ashtu edhe kolegu i saj nuk duan të paragjykojnë motivin e sulmit, i cili shpresojnë të zbardhet gjatë procesit gjyqësor. Gazetarja e Alsat-it, Era Gjakova thotë se sulmuesi nuk e ka kërcënuar pas sulmit, por pas raportimit në polici ka marrë telefonata për të tërhequr denoncimin.

Personalisht Hoxha nuk ka marrë asnjë kërcënim pas ngjarjes. Gjakova dhe Hoxha shpresojnë se do të ketë një vendim gjyqësor që do ta dënojë dhunuesin, për t’u dërguar mesazh të gjithë të tjerëve se nuk guxojnë të sulmojnë gazetarët, dmth nëse e bëjnë këtë do të shkojnë në burg. Ata besojnë se institucionet duhet të ofrojnë kushte për punën e tyre të pa penguar në terren.

Prokuroria reagon në kohë

Menjëherë pas sulmit, Prokuroria Themelore Publike kërkoi që sulmuesit të ekipit të televizionit Alsat t’i caktohet masa e sigurisë, t’i merren përkohësisht dokumentet e udhëtimit dhe t’i ndalohet kontakti me dëshmitarët dhe viktimën.

Prokuroria themelore publike në Shkup ka ngritur aktakuzë në gjykatën kompetente kundër një 53-vjeçari për veprën penale të dhunës. Në aktakuzë thuhet se “Ndërsa një kameraman dhe dy gazetare po filmonin për nevojat e televizionit, ai fillimisht doli nga dyqani dhe filloi t’i shante me zë të lartë. Më pas ai hyri brenda dhe mori gërshërët, pas çka iu kthye viktimave dhe i kërcënoi drejtpërdrejt se do t’i vriste. Ata filluan të tërhiqen në një vend tjetër, por në atë moment i pandehuri iu afrua kameramanit nga pas dhe e goditi me grusht në kokë”.

Dënimi i sulmit nga SHGM dhe organizatat gazetareske

Shoqata e Gazetarëve rikujtoi se kërcënimet me jetë janë vepra penale dhe kërkuan që rasti të hetohet dhe procedohet urgjentisht në mënyrë që akte të tilla të mos përsëriten në të ardhmen. Ka reaguar edhe Këshilli i Etikës në Media, i cili theksoi se sulmuesi duhet të sanksionohet, sepse vetëm kështu mund të përçohet mesazhi se liria e shprehjes është një e mirë e përgjithshme.

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatik dënoi ashpër sulmin ndaj kameramanit dhe gazetareve të televizionit Alsat. Sindikata kërkon që sulmi të trajtohet në përputhje me Kodin Penal si sulm ndaj një zyrtari.

Pronari i deponisë nuk dëshiron që opinioni ta kuptojë nëse deponia po helmon!

Një javë pas sulmit ndaj ekipit të Alsat-it, pronari i deponisë për grumbullimin te mbeturinave në komunën e Bërvenicës, kërcënoi dhe ofendoi ekipet mediatike, duke mos i lejuar ata të regjistrojnë një video të zjarrit në këtë deponi. Por gazetari i TV 21, Senat Zylbehari, ka qenë këmbëngulës dhe pa marrë parasysh përpjekjet e pronarit për ta penguar, ka qenë i bindur se ka të drejtë dhe përgjegjësi profesionale për ta filmuar deponinë, e cila gjendet afër fshatit Stençe në rajonin e Tetovës. “Në orët e para të 23 gushtit, ajri në Tetovë ishte shumë i ndotur. Kolegët që kanë filmuar në terren përballë më kanë paralajmëruar që të mos i afrohem deponisë, pasi pronari është shumë agresiv. Fillova xhirimet dhe më pas pronari filloi të bërtiste dhe të kërcënonte, por unë insistova që të kem të drejtën të filmoj”, thotë Zylbehari. Ai beson se pronari, punonjës i Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, ka pasur informacione se sulmi ndaj gazetarëve ishte sulm ndaj një zyrtari dhe për këtë arsye ka shmangur sulmin fizik.

Gazetari i TV 21 na bëri me dije se personi që pengoi grupin të xhironte ka marrë dënim kundërvajtës. Por sulmuesi nuk u ndal me kaq. Për shkak se është pronar i një rrjeti kabllor, si hakmarrje, pas publikimit të lajmit, ka hequr nga platforma dy televizione, TV 21 dhe televizionin lokal Koha”, na tha Zylbehari.

Në vend që pronari të kërkonte falje, ai përmes avokatit e ka njoftuar Zylbeharin se do ta padisë. E njëjta kërkesë ka arritur edhe te kameramani i TV Koha, që sipas Zylbeharit është një formë e presionit të drejtpërdrejtë ndaj medieve.

Udhëheqësi i Inspektoratit të Tregut refuzon “inspektimin gazetaresk” për cigaret pa etiketa

Kërcënimi i katërt fizik ndaj një gazetari ka ndodhur më 12 tetor të këtij viti. Gazetari i portalit Tetova Sot, Nevrij Ademi, zbuloi se cigaret në Tetovë shiten pa etiketa, ndërsa udhëheqësi i Inspektoratit të Tregut në Tetovë është irrituar me gazetarin. “Siç shihet në video, shefi i Sektorit të Tetovës në Inspektoratin Shtetëror të Tregut, Lilbert Memeti, në çdo mënyrë është munduar të na pengojë në punën tonë. Ai tha se nuk do të shkelnim më kurrë në derën e Inspektoratit dhe se nuk do të ishim të mirëpritur. Kështu është mësuar të funksionojë ky institucion, pa dhënë asnjë informacion publikut”, thekson Ademi.

Ai tregon se drejtori e ka denoncuar rastin në polici për inçizim të paautorizuar. “Pres një ftesë për të biseduar me policinë dhe kjo do të jetë një tjetër dëshmi se si zyrtarët shtetërorë ushtrojnë presion mbi mediet dhe gazetarët”.

Ademi thotë se për të mos e publikuar këtë histori i janë ofruar edhe para, ofertë të cilën kategorikisht ka refuzuar ta diskutojë.

Kolegu shprehet i kënaqur me qëndrimin e policisë, ndërsa për gjykatat thotë se duhet të presim sepse “drejtësia është larg gjykatave në vendin tonë”.

Sulmet ndaj gazetarëve përmes të dhënave statistikore të SHGM

Liria e fjalës dhe siguria e gazetarëve janë të lidhura ngushtë. Sipas publikimit “Sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medies 2017 – 2021, trende dhe rekomandime” të përgatitur nga autorët Deniz Sulejmani dhe Ivan Breshkovski “Në gjashtë vitet e fundit, gazetarët dhe punonjësit e medieve janë përballur me sulme të shumta fizike dhe verbale, si dhe presione nga zyrtarët publikë. “Sulme dhe presione të tilla kanë ardhur në forma të ndryshme. Kreativiteti i atyre që duan të bëjnë presion ndaj gazetarëve shpesh shfaqet në forma të reja, teknikat e presionit po evoluojnë me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe nëse në një vend nuk ka drejtësi të shpejtë dhe efikase, dëmi që mund të shkaktohet nga sulmet, mund të jetë katastrofik”, thuhet në publikim.

Siguria e gazetarëve dhe punonjësve të medies është prioritet i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, e cila mban një regjistër të sulmeve ndaj gazetarëve, i cili është lehtësisht i disponueshëm në faqen e internetit të SHGM-së.

 

Raste të shkeljes së të drejtave të gazetarëve gjatë viteve

Në vitin 2022 janë regjistruar 7 sulme ndaj gazetarëve/punonjësve të medies

Në vitin 2021 janë regjistruar 5 sulme ndaj gazetarëve/punonjësve të medies

Në vitin 2020 janë regjistruar 14 sulme ndaj gazetarëve/punonjësve të medies

Në vitin 2019 janë regjistruar 4 sulme ndaj gazetarëve/punonjësve të medies

Në vitin 2018 janë regjistruar 3 sulme ndaj gazetarëve/punonjësve të medies

 

 

NË VITIN 2017 JANË REGJISTRUAR 16 SULME NDAJ GAZETARËVE/PUNONJËSVE TË MEDIES
NË VITIN 2016 JANË REGJISTRUAR 14 SULME NDAJ GAZETARËVE/PUNONJËSVE TË MEDIES
NË VITIN 2015 JANË REGJISTRUAR 12 SULME NDAJ GAZETARËVE/PUNONJËSVE TË MEDIES
NË VITIN 2014 JANË REGJISTRUAR 10 SULME NDAJ GAZETARËVE/PUNONJËSVE TË MEDIES

Në periudhën 2017-2022, në Regjistrin e SHGM-së janë regjistruar rreth 42 sulme ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medies. Prej tyre, më të zakonshme janë kërcënimet verbale që janë një formë e rrezikimit të sigurisë së tyre. Nga 42 raste të sulmeve ndaj gazetarëve, 25 janë raste të kërcënimeve verbale ndaj gazetarëve, 14 janë sulme fizike ndaj gazetarëve, dy janë sulme ndaj medieve/organizatave mediatike dhe një sulm është në formë të heqjes së lirisë.

(Jo) siguria e gazetarëve, tregues i indeksit të lirisë së medies

Siguria e gazetarëve dhe punonjësve të medies gjatë ushtrimit të detyrave të tyre është një parakusht për cilësinë dhe gazetarinë objektive dhe profesionale. Niveli i demokracisë në një vend varet nga cilësia e informacionit, nga liria e kërkimit dhe raportimit për tema të ndryshme, si dhe nga liria e medies. Sulmet ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medies në përgjithësi nuk janë vetëm shkelje individuale, por edhe kolektive e të drejtave të qytetarëve, sepse në këtë mënyrë cenohet e drejta e informimit, e cila është kategori kushtetuese në vendin tonë (neni 16).

Në publikimin “Përmirësimi i sigurisë së gazetarëve përmes ndryshimeve të Kodit Penal – analiza e standardeve ndërkombëtare dhe rregullativës vendore ” e përgatitur nga autorët: Kostadin Bogdanov, Ivan Breshkovski dhe Dragan Sekullovski, konstatohet se siguria e gazetarëve të kërcënuar me shkeljen e lirive dhe të drejtave të tyre në punë është një problem që zvarritet për vite me radhë në Maqedoninë e Veriut ndërsa ka kulmuar në vitin 2014. “Këtë vit, vendi ra në vendin e 123-të, nga gjithsej 180 vende, në indeksin e lirisë së medies të publikuar ngaReporterët pa Kufij. Për krahasim, sipas të njëjtit indeks në vitin 2007, RMV ishte në vendin e lartë të 36-të, në atë periudhë kishte një pozitë më të mirë se disa demokraci perëndimore. Një nga arsyet pse pas vitit 2014, vendi ishte në fund të indekseve botërore për lirinë e shprehjes dhe pati kritika të rënda në raportet e Komisionit Evropian, është pikërisht shkelja e të drejtave që lidhen me sigurinë e gazetarëve”.

Në publikimin me titull “Monitorimi i procesit të integrimeve evropiane: reforma në sektorin mediatik, reforma në gjysmë të rrugës”, të autorit Teofill Bllazhevski, thuhet se vendi po ec përpara në këtë sferë. “Ndryshimet në Kodin Penal, me të cilin sulmi dhe kërcënimet ndaj punonjësve të medies konsiderohen vepër penale, e cila mund të ndiqet sipas detyrës zyrtare, është një parakusht i rëndësishëm për të rritur ndjeshëm sigurinë e gazetarëve dhe punonjësve të medies”.

Tani është radha e shtetit. Në mënyrë që gazetarët dhe punonjësit e medies të jenë të sigurt dhe të lirë në kryerjen e detyrave të tyre të punës, shteti, përkatësisht institucionet, duhet të sigurojnë zbatimin e kornizës ligjore nëpërmjet funksionimit efikas të autoriteteve ekzekutive dhe gjyqësore. Ky është një test për institucionet, për të treguar nëse ndryshimet ligjore do të mbeten në letër, apo do të zbatohen. Burgu për këdo që ngre dorën kundër gazetarëve dhe punonjësve të medies, duhet të shërbejë si një mësim i mirë, se burgu e pret këdo që mendohet për sulm të dhunshëm.

Shteti është para një testi – a do ta mbrojë lirinë e fjalës apo do të vihet në mbrojtje të dhunës!

Kjo analizë është përgatitur në kuadër të projektit “Paditë Strategjike kundër Pjesëmarrjes Publike (SLAPP) janë një shuplakë për qytetarët dhe interesin publik”, e mbështetur nga UNESCO. Indikacionet e përdorura dhe prezantimi i materialit në këtë publikim nuk nënkuptojnë shprehjen e çfarëdo mendimi nga UNESCO-ja në lidhje me statusin ligjor të ndonjë vendi, territori, qyteti apo zone ose të autoriteteve lokale të atjeshme apo në lidhje me përcaktimin e kufijve. Autorët janë përgjegjës për përzgjedhjen dhe prezantimin e fakteve të përfshira në këtë publikim dhe, për mendimet e shprehura të cilat nuk janë domosdo ato të UNESCO-s, nuk janë të detyrueshme për Organizatën.