Deputetja Kearns: Serbia po i qesh në fytyrë BE-së – qasja e Perëndimit ndaj Kosovës, e padrejtë

Në Parlamentin Evropian, të mërkurën është diskutuar mbi parregullsitë në zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale në Serbi.


Eurodeputetët patën kritika të ashpra për vendin fqinj, duke kërkuar nga udhëheqësit e shtetit që t’i hetojnë gjetjet e monitoruesve ndërkombëtarë.

Pas votimeve nga Parlamenti Evropian, të enjten, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka marrë një letër të mbështetur nga 24 politikanë të lartë evropianë, duke i kërkuar asaj që të hetojë akuzat për parregullsi në zgjedhjet e fundit në Serbi, shkruan Klankosova.tv.

Në mesin e nënshkruesve të kësaj thirrjeje, siç ka raportuar “Politico”, që BE-ja të nisë një hetim për zgjedhjet në Serbi, ishte edhe Alicia Kearns, një deputete konservatore e Parlamentit Britanik dhe kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Britanik.

Në një bisedë për “Zërin e Amerikës”, shërbimi për Gjeorgjinë në Uashington, deputetja britanike ka thënë se “kolegët që vëzhguan zgjedhjet thanë se nuk kishin parë kurrë abuzime të tilla të tmerrshme të procesit zgjedhor”.

Kearns ishte edhe ndër nënshkrueset e apelit që parlamentarët evropianë dhe amerikanë i dërguan administratave në Uashington dhe Bruksel verën e kaluar, me të cilin kërkohej që të shtrëngojnë politikën ndaj Serbisë dhe ta zbusin atë ndaj Kosovës. Ajo gjithashtu akuzoi Beogradin për kontrabandë armësh në Kosovë përmes Kishës Ortodokse Serbe, të cilën KFOR-i më vonë e mohoi.

Kearns tani ka bërë thirrje përsëri për një ndryshim në politikën e ShBA-së dhe BE-së ndaj Beogradit dhe pretendon se “Serbia po qesh përballë Bashkimit Evropian”.

“Ata pretendojnë se po shkojnë drejt së ardhmes euroatlantike, por në fakt janë të lidhur me Rusinë, me Iranin, kanë zgjedhur aleatët e tyre. Ata aktualisht po i qeshin BE-së në fytyrë, po i marrë paratë e tyre dhe nuk po ecin përpara në çështjen e reformave. Duhet që qasja e BE-së dhe ShBA-së të jetë e drejtë dhe e balancuar. Qasja aktuale ndaj Kosovës është e padrejtë, e pabalancuar dhe e gabuar, dhe ata duhet të paralajmërojnë se Serbia do t’i bartë pasojat dhe t’i jepet fund këtij iluzioni që kanë – se Serbia po punon për një të ardhme euroatlantike”, tha deputetja britanike.

24 nënshkruesit e letrës, duke përfshirë Michael Roth, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të parlamentit gjerman dhe homologu i tij francez Jean-Louis Bourlanges, i kërkuan BE-së të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat e mashtrimit dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta në Serbi, shkruan “Politico”, transmeton Klankosova.tv.

Nënshkruesit kryesojnë kryesisht komitetet e punëve të jashtme ose evropiane në parlamentet e tyre kombëtare dhe vijnë nga e gjithë BE-ja – duke përfshirë nga Franca, Italia, Danimarka dhe Luksemburgu – si dhe nga Ukraina, Moldavia dhe Britania e Madhe.

“Në varësi të gjetjeve të hetimit”, thonë ata, “mund të kërkohen zgjedhje të reja në Serbi”.

“Qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade”, shtojnë ata. Kërkesa për hetim vjen pasi von der Leyen po përgatit planet për një BE me më shumë se 30 anëtarë.

Blloku aktualisht ka 27 vende anëtare, por në dhjetor hapi negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Vende të tjera, si Kosova, Gjeorgjia dhe disa tjera të Ballkanit Perëndimor, janë në faza të ndryshme të procesit të anëtarësimit.