Barcelona ka bërë një goditje të madhe për të ardhmen, duke siguruar shërbimet e Lucas Bergvall.


Mesfushori i talentuar suedez ka pasur një vit të jashtëzakonshëm me fanellën e Djurgardens dhe ka zgjuar interesimin e top klubeve evropiane.

Manchester United, Borussia Dortmund, Juventus e Liverpool ishin të interesuar për të, megjithatë garën e ka fituar Barcelona.

Fabrizio Romano ka njoftuar se katalunasit kanë siguruar shërbimet e talentit suedez ku do të paguajnë shtatë milionë euro plus tre të tjera në formë bonusesh.

17-vjeçari që luan në pozitën e mesfushorit qendror në sezonin e fundit ka zhvilluar 29 ndeshje ku ka shënuar edhe tre gola dhe ka asistuar në një tjetër.

Falë paraqitjeve fantastike në elitën e futbollit suedez, ai ka debutuar edhe me Kombëtaren A të Suedisë dhe shihet si shpresa e madhe e futbollit në këtë shtet.

Përkundër se kanë siguruar shërbimet e tij, Bergvall do të mbetet te Djurgardens deri në verë dhe nga sezoni i ardhshëm do t’i bashkohet Barcelonës.