30-vjeçarit nga Kërçova F.D. i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Kundër tij është ngritur kallëzim penal “vrasje”. I dyshuari ka qenë kriminel i njohur për policinë. Ndaj tij në të kaluarën janë ngritur mbi 50 kallëzime dhe është dënuar edhe me burg. Sjellja e tij problematike duket se ka kulmuar më 18 dhjetor të vitit të kaluar kur rrahu vajzën e tij dyvjeçare. Pastaj për rreth 20 ditë ajo është trajtuar pa sukses në klinikën e Shkupit, ku vdiq më datë 8 të këtij muaji.


“Në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2023, SPB Kërçovë ka dorëzuar rreth 50 kallëzime penale për veprat penale vjedhje dhe vjedhje e rëndë. Në vitin 2013 me vendime gjyqësore, F.D. në dy raste është dënuar me 6 muaj burg dhe një dënim me 3 muaj burg…”, tha Stefan Dimovski – zëdhënës i SPB Ohër.

Nga ana tjetër, prokuroria nuk ka bërë të ditur as sot nëse nëna e fëmijës në fjalë do të ndiqet penalisht për ndonjë vepër penale.

Respektivisht, ajo ka pohuar se lëndimet e vajzës së saj kanë ndodhur si pasojë e rënies së një dollapi mbi të, ndërsa në një rast tjetër ka thënë se është shtyrë nga fëmijët e tjerë duke luajtur.

Qendra për Çështje Sociale e dinte se në këtë familje kishte probleme të tilla.

“Rasti nuk është denoncuar për dhunë në familje. Mirëpo, më 21 korrik të vitit 2023, Qendra për Çështje Sociale është njoftuar nga stacioni policor i Kërçovës se ka pasur keqkuptim dhe debat në mes të F.D. dhe bashkëshortes së tij më 26.06.2022, pas së cilës janë grindur, ajo është larguar nga shtëpia dhe së bashku me fëmijët kanë shkuar në Prilep. Më pas Qendra ka bërë kontroll dhe ka konstatuar se ajo është kthyer në shtëpi me fëmijët dhe ka deklaruar se i kanë kapërcyer problemet dhe kanë vazhduar të jetojnë së bashku”, thonë nga Qendra për Çështje Sociale – Kërçovë.

Që atëherë, Qendra për Çështjet Sociale nuk ka marrë asnjë denoncim tjetër. Ndryshe, familja ishte shfrytëzuese e ndihmës sociale.

Përveç vajzës tashmë të ndjerë, ata kanë edhe 6 fëmijë të tjerë.