Avokati Stojkoviq: Më liruan pas 4 orësh ndalimi – çka dalloj unë nga rasti i Sandulloviqit?

Avokati Çedomir Stojkoviq njofton se pasi ishte ndaluar për katër orë nga anëtarët e Agjencisë së Sigurisë Informative të Serbisë, u lirua për lëvizje të lirë.


Me anë të një postimi në llogarinë e tij në platformën X, Stojkoviq shprehet se lirimi i tij nuk është rezultat i vullnetit të autoriteteve.

“Unë u lirova sepse autoritetet ishin në dijeni se nëse do të më arrestonin edhe mua, presioni nga publiku botëror do të ishte shumë i madh”, shkroi ai.

Tutje ai shprehet se tani presidenti serb, Aleksandar Vuçiqi, duhet të shpjegojë pse është ai përjashtim në krahasim me Nikolla Sanduloviqin, i cili u rrah brutalisht nga shërbimi sekret serb pasi u publikuan pamjet nga vizita e tij te të rënët në Prekaz.

“Në shtetin e Aleksandër Vuçiqit ligjet zbatohen në mënyrë arbitrare. Unë bëra një gjë edhe më të “keqe” se Nikolla – mbajta një fjalim edhe te varri ku ai vendosi lule. E arrestuan dhe e rrahën. Unë jam i lirë”.

Sipas avokatit Stojkoviq, zyrtarët e BIA-s që folën me të kishin një qasje profesionale, bënin pyetje që i interesonin, u sollën me mirësjellje, dhe se nuk ndjeu asnjë armiqësi pavarësisht siç tha, mosmarrëveshjeve të tyre.

“Paraburgimi im prej katër orësh (maksimumi ligjor) është rezultat i vendimeve të dikujt tjetër. Gjatë asaj kohe kemi pasur mundësi të shkëmbejmë mendime pa tension. Në fjalët e shkëmbyera, shoh një shans për të ndryshuar mendimin e tyre, sigurisht për arsyet e mia. Sepse edhe BIA duhet ta kuptojë se armiku është nga brenda dhe këta janë të gjithë ata që Serbinë e reduktojnë në nivelin e një komuniteti primitiv, duke filluar nga presidenti. Ndoshta prokurori publik në Beograd mendon ndryshe. Të shohim kur të shkoj atje”, shkroi Stojkoviq, i cili gjatë ditës së djeshme ishte në Prekaz dhe vendosi lule te varri i Blerina Jasharit, e cila ishte shtatë vjeç kur u vra nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

Përveç luleve, avokati e la edhe një letër ku ndër të tjera, ai tha se shpresa dhe ëndrra fillojnë me fjalën “më fal”.