Viti 2023 ishte i pasur me ngjarje të ndryshme sportive në pjesë të ndryshme të botës.


Kur jemi te futbolli, si sporti më i popullarizuar, ky pa dyshim se ishte viti i Manchester Cityt.

“Citizens” i fituan tre trofe në sezonin e tyre historik 2022/23, përfshirë këtu Ligën e Kampionëve, Premierligën dhe FA Cup.
Ata e shijuan trofeun e parë të Ligës së Kampionëve në histori të tyre pasi e mposhtën Interin në finale me rezultat të ngushtë, 1:0 falë golit të Rodrit, shkruan “Gazeta Express”.

Kur jemi tek garat evropiane, “Citizens” e fituan më pas edhe Superkupën e Evropës pasi e mundën Sevillën përmes penalltive, 5:4 pasi loja e rregullt dhe vazhdimet përfunduan baras, 1:1.

Ekipi spanjoll kaloi i pari në epërsi përmes Youssef En-Nesyri në minutën e 25-të, por Cole Palmer i barazoi shifrat në minutën e 63-të.

Më pas, “Qytetarët” ishin më të saktë nga gjuajtjet prej 11 metërshit dhe në fund e ngritën lartë edhe një trofe.

E ekipi i Pep Guardiolës e mbylli vitin 2023 me një tjetër trofe dhe në mënyrën më të mirë të mundshme duke e mundur Fluminensen me rezultat të thellë 4:0 në finale të Kupës së Botës për Klube, që ishte edhe trofeu i parë në histori për Cityn.

Golat për kampionin anglez dhe evropian i shënuan, Julian Alvarez dy herë dhe Nino (autogol) dhe Phil Foden.