SPB-Tetovë: Gjoba nga 100 deri 250 euro për të gjithë ato qytetarë që përdorin fishekzjarre në mënyrë të paautorizuar

Policia e Tetovës ka përforcuar kontrollet dhe aktivitetet tjera lidhur me zbulimin dhe parandalimin me kohë të shitjes dhe përdorimit të fishekzjarreve dhe mjeteve tjera piroteknike, të cilat do të intensifikohen edhe më shumë në ditët në vijim, thuhet në njoftimin e SPB-Tetovë.


“Në atë drejtim tregtarët, prindërit dhe nxënësit (nxënës të shkollave fillore dhe të mesme) njoftohen edhe një herë se shitja, pra blerja dhe aktivizimi i fishekzjarreve në vende publike, në rrugë, në oborre, në hyrje të objekteve të banimit etj., është kundërvajtje ligjore, për të cilën sipas nenit 31 të Ligjit për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, dënohet me gjobë prej 100 deri në 250 euro në kundërvlerë në denarë.

Prokurimi dhe shpërndarja e tyre në treg në sasi të mëdha është në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë dhe për këtë vepër është paraparë dënim me burg prej së paku pesë vjet.

Sektori për Punë të Brendshme Tetovë apelon para së gjithash nxënësit e shkollave fillore që të largohen nga lodrat e tilla të rrezikshme, të cilat shpeshherë mund të shkaktojnë pasoja të rënda për shëndetin e tyre, gjegjësisht lëndime në duar, sy dhe pjesë të tjera të trupit”, thuhet në njoftim.

SPB-Tetovë, shtojnë nga atje, i rikujton qytetarët (neni 32 i LKKRQP) se me gjobë prej 100 deri në 250 euro në kundërvlerë në denarë, do të gjobohen të gjithë ata që organizojnë fishekzjarre, pishtarë apo ngjarje të ngjashme në vende publike në mënyrë të paautorizuar, do të sanksionohen me masat e nevojshme mbrojtëse, masa këto në përputhje me legjislacionin përkatës si dhe ata që qëllojnë me armë zjarri në dasma apo festa të tjera familjare.