Singapori ruajti pozitën e parë si qyteti më i shtrenjtë në botë për të nëntën herë në njëmbëdhjetë vitet e fundit. Cyrihu u ngrit nga vendi i gjashtë për t’iu bashkuar Singaporit në krye duke e shtyrë Nju Jorkun, i cili u barazua me Singaporen për vendin e parë vitin e kaluar, në vendin e tretë.


Cyrihu u ngjit në listë për shkak të frangut zviceran dhe çmimeve të larta për prodhimet, sendet shtëpiake dhe aktivitetet e kohës së lirë.

Tre qytete amerikane – Nju Jorku, Los Anxhelosi dhe San Francisko – janë ndër dhjetë të parat. Evropa Perëndimore përbën katër nga dhjetë qytetet më të shtrenjta në listë falë rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe veshjeve. Qytetet ruse të Moskës dhe Shën Petersburgut panë rënien më të madhe në renditje pasi sanksionet dobësuan rublën.

Singapor, Cyrih, Nju Jork, Gjenevë, Hong Kong, Los Anxhelos, Paris – kjo është lista e qyteteve më të shtrenjta në vitin 2023.

Çmimet e shërbimeve komunale, shkruan “Economist”, kanë pasur inflacionin më të ngadaltë në kategoritë e mbuluara nga hulumtimi i tyre. Inflacioni ka ndikuar në çmimet e ushqimeve në mbarë botën. Në Nju Jork, çmimet u rritën me 1.9 për qind. Edhe pse disa artikuj ushqimorë, si vezët dhe mishi i viçit, si dhe aktivitetet rekreative patën rritje, çmimet e benzinës dhe veshjeve mbetën të ulëta.

Azia vazhdon të shohë rritje relativisht të ulëta të çmimeve mesatarisht, megjithëse Hong Kongu doli në vendin e pestë në listë.

Upsana Dutt, drejtuese e kostos globale të jetesës në Economist Intelligence Unit, shpreson se inflacioni do të ngadalësohet në vitin e ardhshëm. “Kriza e kostos së jetesës vështirë se ka mbaruar dhe nivelet e çmimeve mbeten shumë mbi tendencat historike. Ne presim që inflacioni të vazhdojë të zbutet në vitin 2024”, tha ajo.