30 viktima dhe qindra të plagosur, ky ishte bilanci i sulmeve të një dite më parë të avionëve rusë në disa zona të Ukrainës, që konsiderohet si ndër më të përgjakshmit që nga nisja e luftës.

Përballja e ashpër ka vijuar dhe gjatë së premtes, ku Rusia bombardoi në masë rajonin e Khersonit, teksa Ukraina u kundërpërgjigj me dhjetëra dronë në qytetet kufitare.

Kremlini vijon t’i qëndrojë idesë së operacioni në Ukrainë nuk është kundër civilëve, por kundër një regjimi që është në duart e perëndimit.

“Operacioni special është kundër regjimit. Tashmë Ukraina është një ndërmarrje ushtarake private në duart e perëndimit”, u shpreh përfaqësuesi i Rusisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Ambasadori Nebenzya shkoi dhe më tej duke thënë se tashmë planet ushtarake të Ukrainës dhe mbrojtësve të saj kanë dështuar dhe shumë shpejt ata do të përballet me lajmet më të këqija në të ardhmen e afërt.

“Paketat e reja të ndihmës ushtarake dhe financiare për Zelenskyn dhe bandën e tij nga Uashingtoni dhe Brukseli do të vonojnë agoninë e regjimit ukrainas, por nuk do ta ndalin dot atë”, përfundoi Nebenzya.