Ministri i Jashtëm i Izraelit ka kritikuar ashpër Antonio Guterresin, pasi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së paralajmëroi se situata në Gaza po “përkeqësohet shpejt”.


Siç raporton Sky News, Eli Cohen tha se mandati i Guterres është një “rrezik për paqen botërore” dhe pretendoi se komentet e tij mbështesin Hamasin.

Ky reagim erdhi pas Guterres përdori nenin 99 të kartës themeluese të OKB-së, të përmendur rrallë, për të nxitur Këshillin e Sigurimit prej 15 anëtarësh që të përdorte ndikimin për të parandaluar “një katastrofë humanitare” në Gazë.

Ai përsëriti gjithashtu një thirrje urgjente për një armëpushim humanitar, dhe paralajmëroi se bombardimet e Izraelit së shpejti do të çojnë në një prishje të plotë të rendit publik.

Duke postuar në X, Cohen tha se deklarata e Guterres “përbën mbështetje të organizatës terroriste Hamas dhe një miratim për vrasjen e të moshuarve, rrëmbimin e foshnjave dhe përdhunimin e grave”.

“Kushdo që mbështet paqen botërore duhet të mbështesë çlirimin e Gazës nga Hamasi”, shtoi ai.

Ishte hera e parë që kur Guterres mori drejtimin e OKB-së në vitin 2017, që i shkruan Këshillit të Sigurimit sipas artikullit, i cili e lejon atë të sjellë në vëmendjen e këshillit çdo çështje që ai beson se kërcënon paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.