Italia kërkon që Facebook të paguajë TVSH prej rreth 870 milionë eurosh

Italia ka kërkuar që kompania “Meta” të paguajë tatim për rrjetin social Facebook, në vlerë prej 870 milionë euro. Kërkesa është dërguar për vlerësim në komitetin e TVSH-së të Komisionit të Bashkimit Evropian.


Korporata amerikane, e cila zotëron gjithashtu platformat Instagram, WhatsApp dhe Oculus, përballet me këtë kërkesë pasi prokurorët e Milanos filluan një hetim ndaj kompanisë në bazë të një kontrolli të policisë tatimore, shkruan Reuters.

Auditimi, i ideuar dhe kryer nga policia italiane Guardia di Finanza (GdF), pretendon se regjistrimet e përdoruesve të Metas mund të shiheshin si një transaksion i tatueshëm, pasi ato nënkuptonin shkëmbimin jomonetar të një llogarie anëtarësimi, për të dhënat personale të përdoruesit.

Meta ka deklaruar vazhdimisht se nuk është plotësisht dakord me idenë se ofrimi i aksesit në platformat online për përdoruesit duhet t’i nënshtrohet tatimit mbi shitjet (TVSH).

Nuk dihet se kur do të vlerësohet kërkesa e dërguar në komitetin e BE-së për TVSH-në, por një “jo” e tij mund të shtyjë ministrinë dhe agjencinë tatimore të ndalojnë sfidimin e Metës dhe përfundimisht të heqin dorë nga hetimi penal që janë duke e bërë prokurorët e Milanos.

TVSH-ja është një taksë e harmonizuar në nivel evropian, kështu që nëse do të konsiderohej se aplikohet në Itali, do të duhej të zbatohej automatikisht për të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian nuk pranoi të komentojë drejtpërdrejt mbi këtë çështje, duke vënë në dukje se komiteti i TVSH-së ishte një grup i pavarur këshillimor.

“Komiteti i TVSH-së rregullisht merret me çështjet e ngritura nga shtetet anëtare dhe si rezultati ashtu edhe afati kohor varen nga agjenda”, tha zëdhënësi.

Policia dhe agjencia tatimore e GdF-s llogaritën një model sipas të cilit Metës do t’i duhej të paguante rreth 220 milionë euro tatim mbi shitjen në vend në vitin 2021. Ata llogaritën gjithashtu se TVSH-ja e detyrimit për periudhën 2015-2021 do të ishte në total 870 milionë euro.

Italia ka ndjekur kompani të tjera teknologjike mbi taksat. Platforma e dhënies me qira të pronave Airbnb (ABNB.O) tha këtë muaj se do t’i paguajë 576 milionë euro Agjencisë Italiane të të Ardhurave për të shlyer detyrimet e papaguara të tatimit mbi të ardhurat për 2017-2021.