Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që niveli i ujit të kanaleve dhe lumenjve në Holandë të arrijë nivele kritike ndërsa shumë objekte afariste dhe rrugë tashmë janë përmbytur, raporton Anadolu.


Kryeministri holandez Mark Rutte njoftoi në rrjetin social X se reshjet e dendura të shiut shkaktuan probleme të mëdha në disa qytete.

“Po monitorojmë nga afër situatën dhe po marrim masa paraprake aty ku është e nevojshme. U uroj forcë të gjithë atyre që po përballen me pasojat e pakëndshme të shirave të dendur”, tha Rutte.

Ai ka thënë se pavarësisht festave të Krishtlindjeve, institucionet kompetente janë duke punuar për marrjen e masave të nevojshme.

Shërbimi publik NOS raporton se shumë ndërtesa afariste në pjesët jugore të Holandës janë përmbytur dhe se komunitetet lokale kanë marrë masa për të mbrojtur ndërtesat historike.