Ani pse u pranua zyrtarisht dhe UEFA nuk ka të drejtë më t’iu përzihet në punë, klubet e mëdha evropiane janë duke e refuzuar projektin e Superligës Evropiane.


Gjigantët si Bayern Munich, Manchester United, Atletico Madrid dhe Sevilla tashmë kanë dalë me komunikatë zyrtare duke konfirmuar se pozita e tyre s’kanë ndryshuar.

“Qëndrimi ynë NUK ka ndryshuar. Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar ndaj pjesëmarrjes në garat e UEFA-s dhe bashkëpunimit pozitiv me UEFA-n, Premierligë dhe klubet e tjera përmes ECA-s për zhvillimin e vazhdueshëm të lojës evropiane”, shkruhet në komunikatën e Man Unitedit.

Ndërsa, Bayern Munich deklaroi se dera e Superligës Evropiane mbetet e mbyllur.

“Ne kemi marrë parasysh vendimin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Megjithatë, kjo nuk e ndryshon qëndrimin e FC Bayern dhe qëndrimin e ECA se një kompeticion i tillë do të përfaqësonte një sulm ndaj rëndësisë së ligave kombëtare dhe statikës së futbollit evropian. Bundesliga përbën themelin e FC Bayern, ashtu si të gjitha ligat kombëtare formojnë themelin e klubeve evropiane të futbollit. Prandaj, është detyra jonë dhe bindja jonë e thellë t’i forcojmë, jo t’i dobësojmë. Ne gjithashtu mbështesim garat evropiane të klubeve nën ombrellën e UEFA-s. Pra, edhe një herë është shumë e qartë: dera për Superligën në FC Bayern mbetet e mbyllur”.
Të njëjtën veprim e ka marrë edhe Atletico Madrid, duke thënë se nuk e duan Superligën Evropiane.

“Familja evropiane e futbollit nuk e dëshiron Superligën evropiane. Gjermania, Franca, Anglia, Italia, Spanja (përveç Real Madridit dhe Barcelonës) etj nuk e duan Superligën.

Ne jemi në favor të mbrojtjes së familjes evropiane të futbollit, mbrojtjes së ligave vendase dhe garantimit që kualifikimi për garat evropiane të arrihet përmes performancës në fushë çdo sezon”.
Deri më tani, vetëm Real Madrid dhe Barcelona mbesin zyrtarisht pjesë e Superligës Evropiane.