Autoritetet franceze kanë arrestuar dy pasagjerë të aeroplanit që për destinacion kishte Nikaraguan, pasi dyshohej se transportonin më shumë se 300 pasagjerë indianë, viktima të mundshme të trafikimit njerëzor.


Aeroplani Airbus 1340, kishte fluturuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, por u ul në aeroportin Vatry të Francës për një ndalesë teknike.

Pas njoftimit anonim se po transportonte pasagjerë “me gjasë viktima të trafikimit të qenieve njerëzore”, u ndalua nga autoritetet franceze.

Policia kontrolloi kushtet në të cilat po transportoheshin pasagjerët në mesin e të cilëve kishte edhe të mitur, dhe arrestoi dy persona të dyshuar.

Tani rasti po hetohet nga Njësia Kombëtare Kundër Krimit të Organizuar, JUNALCO, raporton France24.

Pretendohet se pasagjerët kishin planifikuar të udhëtonin në Amerikën Qendrore, për të tentuar më pas hyrjen e paligjshme në SHBA ose Kanada.

Pas uljes në Francë, ata qëndruan në aeroport gjatë gjithë natës ngase policia kishte marrë kontrollin e vendit dhe nuk lejonte hyrje dalje.

Aeroplani A340 me të cilin udhëtonin, operohej nga kompania rumune, Legend Airlines.

Sipas avokates së linjës ajrore, Liliana Bakayoko, kompania nuk kishte kryer asnjë shkelje, dhe është në dispozicion të autoriteteve franceze.

Policia kufitare lejohet të mbajë një shtetas të huaj deri në katër ditë, nëse ata ulen në Francë, dhe nuk lejohen të udhëtojnë në destinacionin e synuar.

Ligji francez lejon që kjo periudhë të zgjatet në tetë ditë nëse miratohet nga gjyqtari, pastaj tetë ditë të tjera në rrethana të jashtëzakonshme, deri në 26 ditë maksimumi.

Trafikimi i qenieve njerëzore mbart një dënim të mundshëm deri në 20 vjet në Francë.