Palestinezët në Deir al-Balah u goditën nga sulmet izraelite. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza tha se 100 palestinezë u vranë në sulmet izraelite në të gjithë territorin të martën.


Fotot nga Deir-al-Balah, një qytet në Gazën Qendrore, tregojnë palestinezët e tmerruar dhe të mbuluar me pluhur dhe gjak. Sakaq, kreu i Hamasit, Ismail Haniyeh, do të jetë sot në Kajro për bisedime mbi një armëpushim të ri në Gaza.

Egjipti, së bashku me Katarin, ndihmuan në ndërmjetësimin e një armëpushimi njëjavor muajin e kaluar që çoi në lirimin e rreth 100 pengjeve të kapur nga Hamasi në këmbim të 240 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite.

Presidenti i Izraelit, Issac Herzog, ka thënë se vendi i tij është gati për një tjetër pauzë humanitare “në mënyrë që të mundësojë lirimin e pengjeve”. Mbrëmë, Xhihadi Islamik Palestinez –një aleat i Hamasit publikoi një video të re që tregon dy burra të moshuar izraelitë që mbahen peng duke u lutur që të kthehen në shtëpi. Presioni ndërkombëtar është rritur për një pauzë të re në luftime që mund të rrisë ndihmat e dërguara në Gazën e rrethuar.