Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, theksoi se Gaza është tokë e Palestinës, e palestinezëve, ndërsa do të mbetet ashtu pafundësisht, raporton Anadolu.

Erdoğan mori pjesë në programin hapës të Sesionit të 39-të Ministror të Komitetit të Përhershëm për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Tregtar (COMCEC) të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI) që po mbahet në Qendrën e Kongreseve në Istanbul.

Sipas tij, OBI-ja, qëllimi themelues i së cilës është mbrojtja e çështjes palestineze, u ofron atyre një bazë të rëndësishme në zhvillimin e përpjekjeve me një zë dhe një trup.

Duke folur rreth sulmeve të Izraelit drejt Gazës, ai tha se çdo dy nga tre persona të martirizuar në Gaza përbëhen nga fëmijë, foshnja dhe gra, ndërsa numri i banorëve të zhdukur të Gazës ka shkuar në mbi 6.500.

“Ata që përpiqen të heshtin përballë vdekjes së kaq shumë të pafajmshmive, madje edhe e legjitimojnë duke u justifikuar me Hamasin, s’u ka mbetur fjalë për të thënë”, u shpreh ai.

Duke folur për rezolutën e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti turk tha: “Nga njëra anë, janë 121 shtete që thonë ‘Le të ndalet lufta, të mos derdhet më gjak’, e nga ana tjetër janë 3-5 shtete që i japin ‘çek bosh’ Izraelit”.

“Gaza është tokë e Palestinës, është e palestinezëve dhe do të mbetet ashtu pafundësisht”, theksoi ai.

Mes tjerash, presidenti Erdoğan komentoi edhe çështjen e armëve bërthamore të Izraelit. “Nuk do të lejojmë të harrohet çështja e armëve bërthamore, ekzistimin e të cilëve Izraeli e pranon. A ka Izraeli bombë atomike? Kanë, por nëse i pyesim, thonë se nuk kanë.”, tha ai.

“Rruga për paqe në rajonin tonë kalon nga themelimi i shtetit palestinez. Ne jemi të gatshëm për çdo përgjegjësi, përfshirë atë të garantuesit, për sigurimin e paqes”, theksoi presidenti turk.