Avi Shamriz, babai i Alon Shamriz një nga 3 pengjet që ushtria izraelite njoftoi se i ka vrarë “gabimisht” në Gaza iu drejtua qeverisë së Benjamin Netanyahut me fjalët: “Ju e keni vrarë djalin tim dy herë”, transmeton Anadolu.


Duke folur për Hallie Jackson në NBC News, babai Shamriz tha se qeveria e lejoi Hamasin që të merrte djalin e tij më 7 tetor dhe më 14 dhjetor e vrau djalin e tij, ndërsa më tej tha: “Ju e keni vrarë djalin tim dy herë”.

Ai thotë se qeveria e Netanyahut nuk e ka kapacitetin për t’i shërbyer vendit. “Ata nuk na meritojnë neve si vend dhe si shoqëri. Ata nuk janë liderët tanë. Mendojnë vetëm për veten, karriget dhe xhepat e tyre”, tha Shamriz.

“Qeveria nuk ka treguar përpjekje për rikthimin e izraelitëve që mbahen peng në Gaza. Nuk mendojnë për pengjet”, theksoi Shamriz.

Ushtria izraelite njoftoi më 15 dhjetor se ka vrarë “gabimisht” 3 pengje izraelite në Gazën nën bllokadë.

Familja e 26 vjeçarit Alon Shamriz një nga pengjet e vrarë “gabimisht” bëri kërkesë që djali i tyre të regjistrohet si “dëshmor” por media izraelite ka njoftuar se kërkesa në fjalë është refuzuar nga ushtria izraelite.

Familja i ka cilësuar si “tragjike” kushtet e vdekjes së djalit të tyre dhe ka thënë se Shamriz bashkë me pengjet tjerë ka “luftuar në rrugën që shkon drejt lirisë” dhe se ushtria izraelite ka hapur zjarr ndaj tyre pavarësisht se ata kanë qenë pa rroba dhe se kanë mbajtur flamur të bardhë.

Gjithashtu familja potencoi se nën këto kushte do të jetë e përshtatshme që të 3 pengjet të njihen si “dëshmorë të ushtrisë izraelite që kanë vdekur duke luftuar”.