Politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, i cili është duke vuajtur 19 vite burg nën akuza për ekstremizëm dhe akuza të tjera të cilat ai i cilëson si të motivuara politikisht, më 1 dhjetor tha se autoritetet kanë hapur një rast të ri penal ndaj tij.


Në postimet e bashkëpunëtorëve të tij në X, që më herët njihej si Twitter, Navalny tha se ka pranuar një letër nga Komiteti Hetues i Rusisë përmes së cilës është informuar për hapjen e një rasti të ri ndaj tij për “krime sipas pikës dy të nenit 214 të Kodit Penal”, që ka të bëjë me vandalizëm.

“Shumë rrallë ndodh që një i burgosur që gjendet në izolim për më shumë se një vit, ka pasur një ekzistencë vibrante sociale dhe politike”, thuhet në një nga postimet në X, që iu atribuua Navalnyt. “Kjo nënkupton se ata kanë iniciuar një rast të ri penal ndaj meje çdo tre muaj”.

Më 21 nëntor, ai u fut në izolim 15-ditor për shkelje të paspecifikuara, pasi kishte përfunduar qëndrimin në izolim një ditë më herët. Ishte hera e 23-të që Navalny është vendosur në qeli të izoluar që nga gushti i vitit 2022, apo thënë ndryshe, ai ka qëndruar 266 ditë në izolim.