Vaksina kundër kancerit, a do të ndodhë shpejt? Ja si do ta ndihmoj njerëzimin

Teknologjia e acidit ribonukleik ose e njohur si mRNA po bën një revolucion në mjekësi gjatë viteve të fundit.


Së fundi po zhvillohen kërkime intensive për zbulimin e vaksinës kundër sëmundjes së kancerit, që po merr përmasa të mëdha, përcjell INA.

Kreu i kompanisë bioteknike Curevac, Alexander Zender thotë për Bild se dëshiron të nxjerrë në treg një vaksinë kundër kancerit të bazuar në teknologjinë mRNA, më së voni brenda pesë viteve.

“Kërkimi i vaksinës kundër kancerit ka vazhduar për 20 vjet. Por progresi aktual është i jashtëzakonshëm. Gjatë pandemisë, ne mblodhëm shumë përvojë, dhe ndërkohë inteligjenca artificiale ka avancuar aq shumë sa ka zgjidhur probleme të shumta në programimin e mRNA”, tha Zender për Bild.

Një vaksinë kundër kancerit duhet të stimulojë sistemin imunitar për të luftuar qelizat tumorale.

Kanceri si sëmundje vdekjeprurëse me shpejtësi po rritet, e vaksina kundër kancerit supozohet se tek pacientët e sëmurë të ndalojë rritjen, edhe kur kanceri ka metastazuar. Me një vaksinë, kanceri do të shndërrohej në një sëmundje kronike me të cilën mund të jetohet.

Së bashku me Curevac, edhe kompani të tjera po hulumtojnë intensivisht mundësitë e zhvillimit të një vaksine kundër kancerit.

Në fillim të tetorit, BioNTech njoftoi rezultate shumë premtuese nga një studim klinik në vazhdim. Ajo tashmë po teston efektivitetin e vaksinës tek vullnetarët me kancer. Kjo është arsyeja pse CEO i BioNTech, Ugur Sahin, njoftoi me optimizëm se pret që një vaksinë të ekzistojë para vitit 2030.

Në afat të gjatë, vaksinat e kancerit duhet të zëvendësojnë terapitë aktuale për pacientët me kancer. Ky do të ishte një përmirësim i jashtëzakonshëm sepse terapitë aktuale, rrezatimi ose kimioterapia, janë një barrë e madhe për pacientët. Avantazhi i përdorimit të teknologjisë mRNA është se sistemi imunitar stimulohet për të synuar kancerin dhe asgjë tjetër.