The Guardian: Netanyahu refuzoi disa propozime të Hamasit për lirimin e pengjeve

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka refuzuar një marrëveshje për një armëpushim pesë-ditor me militantët e Hamasit në këmbim të lirimit të disa prej pengjeve që mbahen në Gaza, sipas medias britanike The Guardian.


Raportohet se Netanyahu e hodhi poshtë marrëveshjen plotësisht gjatë negociatave pasi Hamasi nisi sulmin ndaj Izraelit në 7 tetor, duke vrarë mbi 1400 persona dhe duke rrëmbyer shumë të tjerë.

Negociatat kanë vazhduar pas nisjes së ofensivës tokësore izraelite më 27 tetor, por të njëjtat burime thanë se Netanyahu kishte vazhduar të mbante një qëndrim të ashpër ndaj propozimeve të mëvonshme që përfshinin armëpushime në këmbim të një numri të ndryshëm pengjesh.

Më tej, mësohet se negociatat që u zhvilluan përpara pushtimit tokësor izraelit përfshinin një numër shumë më të madh pengjesh, me Hamasin që propozoi lirimin e dhjetëra shtetasve të huaj të robëruar në Gaza.

Rreth 240 njerëz u morën peng pasi luftëtarët nga Hamasi, Xhihadi Islamik Palestinez dhe grupe të tjera me bazë në Gaza , si dhe civilë, kaluan gardhin e përforcuar kufitar që ndan territorin.