Një varkë me emigrantë është përmbysur në brigjet e Jemenit të shkatërruar nga lufta, ku raportohet se janë zhdukur dhjetëra njerëz, kryesisht nga Briri i Afrikës.


Khalid al-Subeihi, një zyrtar i rojes bregdetare të Jemenit në qytetin bregdetar të Mocha, tha se anija me 75 emigrantë në bord u përmbys të dielën. Ai tha për Associated Press se 26 persona mbijetuan, por të paktën 49 të tjerë mbeten të zhdukur.

Një tjetër zyrtar i rojes bregdetare, Lt. Co. Olwan al-Qameri, tha se kërkimi ishte ende duke u zhvilluar të hënën. Duke cituar një zyrtar të paidentifikuar të rojes bregdetare, agjencia shtetërore e lajmeve SABA e Jemenit raportoi se anija u përmbys për shkak të erërave të forta dhe se të gjithë ata që ishin në bord, përfshirë gra dhe fëmijë, ranë në ujë.

Mbytja e anijes ishte fatkeqësia e fundit detare që përfshin emigrantët afrikanë që kërkonin një jetë më të mirë në vendet e Gjirit të pasura me naftë, shkruajnë mediat e huaja.

Mijëra njerëz çdo vit kërkojnë të bëjnë një udhëtim të rrezikshëm nga Etiopia, Xhibuti dhe Somalia në Jemen dhe më tej në vendet më të pasura të Gjirit, ndërsa ikin nga varfëria dhe pasiguria në kërkim të punës.