Bota po humbet gati një milion kilometra katrorë tokë prodhuese për shkak të stuhive të rërës dhe pluhurit të përkeqësuara nga aktiviteti njerëzor, tha sot agjencia e Kombeve të Bashkuara për shkretëterizimin.


Konventa e Kombeve të Bashkuara për Luftimin e Shkretëtirëzimit (UNCCD) raportoi se rreth dy miliardë tonë rërë dhe pluhur hyjnë në atmosferë çdo vit, duke shkaktuar kërdi në pjesë të mëdha të Azisë dhe Afrikës dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme ekonomike në mbarë botën.

Në një raport të lëshuar gjatë një sesioni në Samarkand, Uzbekistan, për të shqyrtuar progresin e fundit në kthimin e degradimit të tokës, UNCCD tha se të paktën një e katërta e stuhive mund t’i atribuohen aktiviteteve njerëzore, duke përfshirë minierat dhe mbikullotjen e kullotave.

Humbjet e sipërfaqes së tokës jo vetëm që kanë një ndikim material në furnizimet ushqimore në disa nga vendet më të cenueshme të botës, por gjithashtu çojnë në migrim, duke penguar lundrimin dhe duke krijuar rreziqe sigurie, tha Ibrahim Tiau, sekretari ekzekutiv i UNCCD.

“Kjo shkon përtej individëve,” tha ai. “Ajo prek të gjithë komunitetin”.

UNCCD bëri thirrje për praktika më të mira të menaxhimit të tokës për të rivendosur tokën e dëmtuar dhe më shumë përpjekje për të përmirësuar sistemet e paralajmërimit të hershëm dhe për të ndërtuar elasticitet.

Financimi i përpjekjeve për të luftuar shkretëtirëzimin dhe degradimin është gjithashtu një sfidë e madhe, tha Tiau, duke vënë në dukje se vetëm 15 miliardë dollarë ishin në dispozicion në 2015-2019 për të adresuar problemet që prekin 126 vende.

Ai tha se nevojiten stimuj të rinj dhe mbështetje financiare publike për të nxitur sektorin privat që të kujdeset më mirë për tokën që përdor.

Tiau e quajti Kinën si një nga historitë e suksesit në luftën kundër shkretëtirëzimit dhe kontrollin e pluhurit, me bonifikimin afatgjatë të tokës dhe një program ripyllëzimi që ndihmon në reduktimin e stuhive të rërës. Por ajo mbetet e pambrojtur ndaj rërës që vjen nga Mongolia në veri, ku kullotja e tepërt dhe një ‘bum’ i minierave kanë çuar në degradimin e më shumë se tre të katërtat e tokës, sipas një vlerësimi të OKB-së të vitit 2021. “Ne jemi në një rreth vicioz ku degradimi i tokës po nxit ndryshimet klimatike dhe ndryshimi i klimës po përkeqëson humbjen e tokës në nivel global,” tha ai.