Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se e kanë njoftuar Kryqin e Kuq se kanë filluar të gërmojnë varr masiv në spitalin Al-Shifa pasi përpjekjet e tyre për të nxjerrë kufomat jashtë spitalit dështuan, raporton Anadolu.


Zëdhënësi i ministrisë Ashraf Al-Qudra bëri deklarata për Anadolu për gjendjen e fundit në spitalin Al-Shifa.

Duke theksuar se kanë qenë të pasuksesshme përpjekjet e tyre për të nxjerrë kufomat e mbledhur në spital, Al-Qudra tha: “Ekipet e shëndetësisë dhe administrata e spitalit vendosën që të gërmohet varr masiv për të varrosur trupat e pajetë në oborr. Këtë ia njoftuam Kryqit të Kuq dhe filluan punimet për gërmimin e varrit masiv”.

Al-Qudra tha se ekipet u përpoqën të mbështjellin me qefin 100-120 trupa me refugjatët vullnetarë dhe një ekip tjetër është duke hapur një varr masiv, ndërsa shtoi se procesi i varrimit mund të zgjasë disa orë.

Ai informoi aktualisht se në spital gjenden 650 pacientë dhe të plagosur, 500 deri 600 personel shëndetësor, si dhe 5 deri 7 mijë refugjatë, duke shtuar se kushtet e jetesës në spital janë përkeqësuar dhe se për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe karburantit të nevojshëm për funksionimin e gjeneratorëve, uji merret manualisht nga një pus në kampusin e spitalit në mënyrë të kufizuar.

Sipas tij, edhe ushqimi në spital ka mbaruar plotësisht ndërsa i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave të të drejtave të njeriut, për ndihmë, heqjen e bllokadës dhe furnizimin me karburant.

Zëdhënësi Al-Qudra përgënjeshtroi pretendimet se Izraeli e ka kontaktuar spitalin Al-Shifa lidhur me foshnjat e lindura para kohe, ndërsa informoi se në spital gjenden 36 foshnja të lindur para kohe. “Situata në spitalin Al-Shifa është kritike dhe se qëndrimi i foshnjave këtu kërcënon jetën e tyre. Jemi të gatshëm t’i nxjerrin foshnjat nga spitali dhe t’i transferojnë në një vend tjetër”, tha ai.

Ushtria izraelite, e cila ka rrethuar spitalin Al-Shifa në qytetin e Gazës dhe disa spitale në rajon, kryen sulme të shpeshta në spital.