Një grua që besonte se i dashuri i saj ishte vrarë në sulmin e 7 tetorit në Izrael, ka folur për gëzimin e saj kur kuptoi se ata së shpejti do të ribashkoheshin.


Kittiya Thuengsaeng i tha BBC-së se e njohu Wichai Kalapat në imazhet televizive të 10 pengjeve tajlandeze të liruar nga Gaza të premten, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Dyshohej se Wichai ishte në mesin e qytetarëve tajlandezë të vrarë në bastisjen e Hamasit.

Dy ditë pas sulmit të 7 tetorit, Kittiyas iu dha lajmi shkatërrues se i dashuri i saj prej tre vitesh besohej se ishte në mesin e një grupi prej të paktën 30 shtetasish tajlandezë të vrarë.

Ajo postoi mesazhe në rrjetet sociale duke vajtuar burrin me të cilin planifikoi të martohej vitin e ardhshëm kur ai të kthehej nga Izraeli, ku kishte udhëtuar për punë.

Pas një pritjeje të mundimshme për informacion, Kittiya zbuloi javën e kaluar se ai ishte në mesin e 26 qytetarëve tajlandezë që mbaheshin peng brenda Gazës.

Duke folur për BBC-në pasi e pa atë të gjallë në një makinë që transportonte pengje nga kufiri në një spital izraelit, ajo tha: “Jam shumë e lumtur sepse kisha frikë se ai nuk do të ishte në mesin e të liruarve”.

“Tani mund ta pres atë. Kam pritur kaq gjatë, mund të pres edhe pak”.

Shtetasit tajlandezë u prekën shumë nga sulmi i 7 tetorit pasi rreth 30,000 të tillë ishin në Izrael për punë, kryesisht në sektorin e bujqësisë.