Shumica e të anketuarve nuk e dinë se gazi është lëndë djegëse fosile dhe e konsiderojnë atë më të lirë dhe më të pastër në krahasim me naftën, qymyrin dhe dru zjarri. Një e treta kanë dyshime dhe frikë për sigurinë e përdorimit, por gjithsesi pjesa dominuese do të lidhej menjëherë nëse do të kishte akses në rrjetin e gazit. Qytetarët shohin aplikimin më të madh të gazit në gatimin dhe ngrohjen e shtëpive të tyre dhe vetëm 12 për qind e të anketuarve kanë akses në këtë burim energjie, tregon anketa e Qendrës për hulumtim dhe informim për mjedisin jetësor, Eko-vetëdije Shkup, në bashkëpunim me agjencinë hulumtuese Indago.


Në pyetjen nëse gazi natyror është i sigurt për mjedisin jetësor dhe njerëzit, 64 për qind e të anketuarve janë përgjigjur pozitivisht, ndërsa një e treta e të anketuarve nuk janë të sigurt për këtë.

Anketa, siç theksohet nga Eko-vetëdija, zbulon edhe një ndryshim të madh në aksesin në rrjetin e gazsjellësit, i cili ka implikime të rëndësishme për përdorimin e gazit natyror si burim energjie.

“12 për qind modest të të anketuarve kanë deklaruar se kanë akses në gaz si burim energjie në komunën apo rrethinën e tyre, ndërsa 81 për qind nuk e kanë këtë mundësi. Edhe pse 75 për qind e të anketuarve që nuk kanë akses në gaz natyror shprehën dëshirën për t’u lidhur menjëherë, anketa tregon se vetëm 3 për qind përdorin aktualisht gaz fosil”, sipas Eko-vetëdija.

Anketa gjithashtu ofron të dhëna për qëndrimet ndaj burimeve të mundshme alternative të energjisë, duke përfshirë energjinë diellore dhe të erës, hidroenergjinë, biomasën dhe metodat novatore që të anketuarit i konsiderojnë të rëndësishme.

Sipas anketës, një numër i madh i të anketuarve (91%) shprehën mbështetjen për energjinë diellore, duke e konsideruar atë një nga burimet alternative më të përshtatshme të energjisë për të gjithë vendin. Pason energjia e erës me 76% që tregon mbështetje të konsiderueshme për këto dy burime të rinovueshme.