(Qyfyre nga Kodra e Diellit)


Kryqi mbi Kodrën e Diellit që thoni ju more shokë dhe Bili i vockël sikur janë dakorduar mes vete që shqiponja e grisur dhe e shqyer të qëndrojnë aty pranë si dekor i shëmtuar edhe për ca kohë derisa të marrë fund e vërteta e ‘kryqit të bekuar’ mbi kodër dhe fajësmi i faktorit politik mbi përgjegjësinë e njëri-tjetri në këtë ‘gurgule’ në mesin e tenteneve.
Ndërsa xhonturku i vockël i besprerëve Bili, u shfajësua ditë më parë se komuna nuk ka dhënë leje për ndërtimin e kryqit gjigant, por njëkohësisht nuk guxon të thotë se do ta heq tutje atë kryq të politikës dhe jo të fesë, sepse në mes të kësaj sherrnaje ka një vendim për ta vendosur atë kryq nxitjes dhe të urrejtjes ndëretnike në Kodrën e Diellit, qoftë nga qeveria Dhimo apo nga komuna përmes një akordi mes të pabesëve të Bilit dhe komitëve të Mickos.
Kryqi pranë ‘ventilatorit’ qëndron shëndosh e mirë me Bilin aty pranë që duket sikur i bën roje robërisë, ku gojët e liga thonë se ky ka bërë një marrëveshje me komitët që shqiponja e shqyer të mos ndërrohet me një të re, sepse valëvitja e flatrave të shqiponjës dykrenare do ta trëmbte ‘kryqin e bekuar’ pasi do t’i bënte karshillëk atyre mbi kodrën e Diellit.
Shfajësimet e Bilit si kryetar i Komunës së Tetovës se nuk mban përgjegjësi për vendosjen e kryqit mbi Tetovë që thoni ju more shok nuk qëndrojnë!
Nuk qëndrojnë ato deklarime të thata të Bilit pasi komuna ka çimkat e saj në çdo cep që kontrollojnë çdo pëllëmbë të territorit të komunës nëse ngrihet ndonjë kolibe apo kotec pulash pa leje dhe nuk e ditkan se qënkësh ngritur brenda natës një kryq gjigant si simbol fetar i pakicës sllave në këtë komunë!
Që thoni ju more shokë, ajo që u bë nuk zhbëhet më – do të thoshte Bili si arsyetim!
Jo vetëm Bili por as kukumjaçkat e DUI-t që fshihen në bordelon qeveritare nuk besoj se kanë autoritetin dhe forcën politike që ta heqin qafe ‘kryqin e bekuar’ nga Kodra e Diellit pasi ata në ekzekutiv kanë ‘çelësat e kashtës’ në vendimmarrje.
Kryqi mbi kodër në këtë rast më shumë përfaqëson anën politike si instrument i nxitjes dhe mosdurimit fetar dhe etnik për palën tjetër se sa simbolin e fesë.
Ndaj, kushdo që ka rënë dakord nga shqiptarët si ato në qeveri siç janë integristët e Aliut apo të pabesët e Bilit, mbajnë përgjegjësi për vendosjen e ‘kryqeve të bekuar’ në vende publike pa marrë më parë miratimin dhe leje nga organet kompetente.
Tymnaja e lajmit të ditës për kryqin mbi Tetovë është fillim i fushatës parazgjedhore për zgjedhjet e pranverës së ardhshme, duke i nxitur militantët të jenë gati për kauzat false të patriotizmit fals, ku njëri ngarkon tjetrin me përgjegjësi me akuzat se ne jemi kundër vendosjes së kryqeve dhe ‘tjerët janë antishqiptarët’ dhe fajtorë të marrëveshjeve të fshehta jo vetëm për vendosjen e kryqeve nëpër kodra dhe në vende publike por edhe për mbajtjen dhe ruajtjen në kushtetutë nofkën e 20%.
E që thoni ju more shokë, lufta për pikë dhe prestigj politik nuk zgjedh mjete pa përdorur kundër kundërshtarit politik në emër të patriotizmit ata bëhen engjëj dhe djaj!
Kështu, herët a vonë do bjerë maska e pafajësisë se kush qëndron pas kësaj sherrnaje politike!
Një ditë të mbarë!