Një kompani private do të përgatisë dhe financojë PDU-në për lagjen ku do të ndërtohet bulevardi “Ilindenska”, por realizimi i projektit do të duhet të presë ende sepse komuna nuk ka financa, informon PRESSonline.al


Vendbanimi i njohur në Tetovë si Cetinska, i cili përfshin blloqet urbane 15, 23, 41 dhe 42, do të ketë një plan detal urbanistik. Donacioni i kompanisë është votuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës në shenjë të vullnetit të mirë të kompanisë ndaj autoriteteve komunale.

“Këshilli i Komunës së Tetovës pranoi donacion për Plan Detal Urbanistik për vendbanimin e njohur si “Cetinska” në Tetovë. Donacioni është në interes të qytetarëve sepse aty nuk ka PDU dhe çdo gjë që duhet të ndërtohet kërkon PDU. Kompania ka pasur vullnet të mirë sepse komuna i ka dalë në krahë në të gjitha aktiviteteve ndërtimore që kjo kompani i ka kryer konform ligjit”, tha Besart Durmishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, përcjell PRESSonlione.al

Në lagjen Cetinska të Tetovës duhet të zgjerohet bulevardi “Ilindenska” i cili është ndërtuar pranë Postës së Maqedonisë. Por, për avancim të punimeve, siç thanë autoritetet komunale, do të duhet të pritet, sepse aktualisht komuna nuk ka para për këtë projekt.

“Tani po planifikojmë të shlyejmë borxhin e komunës në dy vjet dhe më pas të sigurohen mjete për të paguar shpronësimin e shtëpive ku duhet të kalojë bulevardi. Tani pa para nuk mund të fillojmë projekte kaq të mëdha, sidomos në një periudhë kur komuna është ende në borxhe”, thotë Besart Durmishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, përcjell PRESSonline.al

Meqë ra fjala, në Tetovë ka katër bulevarde, por vetëm në njërin prej tyre është depërtuar. Këtë vit u depërtua në një pjesë të bulevardit “Blagoja Toska”, por mbetet ende për t’u depërtuar, respektivisht të realizohet faza e tretë e këtij blloku të rëndësishëm trafiku në qytet. Për shkak të bulevardeve të papërfunduara, komunikacioni në Tetovë është devijuar nëpër rrugët dhe rrugicat e ngushta në të gjithë qytetin, duke krijuar kolona të gjata dhe kaos të madh.