Këshilli gjyqësor i Republikës së Maqedonisë nuk ka për qëllim “të luftojë” me askënd, më së paku me ministrin e Drejtësisë, Krenar Lloga, kumtojnë nga Këshilli.


“Reagimi i këtillë i Këshillit gjyqësor, vjen me rastin e paraqitjeve të djeshme të ministrit Lloga, sidomos pas intervistës së tij të mbrëmshme televizive, në të cilën deklaroi se është në “luftë të hapur” me Këshilin gjyqësor”, theksojnë nga Këshilli.

Anëtarët e Këshillit gjyqësor potencojnë se ministri, i cili për nga funksioni është anëtar i Këshillit, është gjithmonë i mirëseardhur në seancën e këtij trupi, ku mund të diskutohet hapur për të gjitha çështjet e hapura dhe problemet në gjyqësor.

“Në të kundërt, nga ana e shërbimeve të Këshillit gjyqësor i dërgohen rregullisht materiale për çdo seancë”, thonë nga atje.

Nga Këshilli theksojnë se i pranojnë të gjitha kritikat me qëllim të mirë në llogari të tyren dhe në adresë të gjyqësorit, por, siç theksojnë, nuk mund të lejohet që ministri i Drejtësisë të dalë nga kompetenca e veta dhe të thotë se si duhet dhe çka të punojë Këshilli.

“Këshlli gjyqësor funksionon në pajtim me kompetencat e veta ligjore dhe çdo tentativë për implikim të drejtpërdrejt në punën e tij, do të interpretohet si “sulm” dhe presion i një përfaqësuesi të pushtetit ekzekutiv ndaj pushtetit gjyqësor”, konkudojnë nga atje.