Ushtria izraelite është në kërkim të fatit të familjes Bibas, e rrëmbyer nga Hamasi në 7 tetor. Sipas raportimeve, Kfir Bibas dhjetë muajsh si dhe nëna e vëllai i tij 4 vjeç janë rrëmbyer dhe çuar në Gazë, por pala izraelite dyshon se ata janë vrarë.


Mediat e huaja raportojnë se ushtria izraelite po heton mbi një pretendim të Hamasit, i cili tha po sot se ata janë vrarë nga sulmet izraelite.

“Gjatë masakrës së Hamasit të 7 tetorit, familja Bibas, përfshirë Kfir Bibas 10 muajsh, vëllai i tij 4 vjeç Ariel Bibas dhe nëna e tyre Shiri Bibas, u rrëmbyen të gjallë dhe u çuan në Gazë,” tha IDF në një deklaratë.

IDF deklaroi se Hamasi është plotësisht përgjegjës për sigurinë e të gjithë pengjeve në Rripin e Gazës.

“Hamasi duhet të mbajë përgjegjësi. Veprimet e Hamasit vazhdojnë të rrezikojnë pengjet, mes të cilëve nëntë fëmijë. Barbarizmi dhe mizoria e Hamasit janë shfaqur plotësisht në botë. Përfaqësuesit e IDF folën me familjen Bibas pas raporteve të fundit dhe janë me ta në këtë kohë të vështirë. IDF po vlerëson saktësinë e informacionit,” thuhet në deklaratën e IDF.-së.

Dyshimet për fatin e tre anëtarëve të familjes Bibas nisën me zbatimin e marrëveshjes. Duke parë se ata nuk figurojnë në asnjë prej listave që dorëzon Hamasi, Izraeli ngriti pikëpyetjet për fatin e tyre. Fillimisht, Hamasi tha se disa prej pengjeve I ka ndarë në grupet e tjera mbështetëse që veprojnë në Gazë.