DİLDAR BAYKAN ATALAY


Derisa numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza kaloi 11 mijë, qeveria izraelite gjeti mbështetje “të pakufizuar” nga SHBA-ja në këto sulme, shkruan Anadolu.

Zyrtarët e administratës amerikane kanë përdorur retorikë që “legjitimon” sulmet e Izraelit në Gaza që nga sulmet e krahut të armatosur të Hamasit, Brigadave Izzeddin Kassam më 7 tetor dhe i kanë ofruar mbështetje “të pafundme”.

SHBA-ja u përmbajt të kritikonte, e lëre më të dënonte Izraelin në lidhje me vrasjen e civilëve dhe sulmet që synonin infrastrukturat civile, përfshirë spitalet.

Administrata amerikane, e cila nuk e ka përdorur ndikimin e saj për të ndalur sulmet e Izraelit në Gaza, të cilat kanë vrarë më shumë se 11 mijë palestinezë që nga sulmet e 7 tetorit, ka lënë të lirë qeverinë e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu.

– Çeku i hapur nga SHBA-ja për Izraelin

Në deklaratën me shkrim më 7 tetor, presidenti i SHBA-së, Joe Biden mbrojti “të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje”. “Unë deklarova se ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë të gjithë mbështetjen qeverisë dhe popullit izraelit”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në deklaratat për televizionin ABC më 8 tetor tha se “Izraeli ka të drejtë të mbrohet”.

“Unë nuk dua të hyj në çështjen se çfarë mund ose nuk mund të bëjë Izraeli në Gaza. Në një mënyrë apo tjetër, ata duhet të marrin masa për të parandaluar që ky (sulm i Hamasit) të ndodhë përsëri. Tani, është fakti që terroristët kalojnë kufirin, hyjnë në shtëpitë e njerëzve, i vrasin në mes të rrugës dhe disa prej tyre i tërheqin zvarrë dhe i marrin robër. Kjo është e patolerueshme për të gjitha demokracitë. Izraeli duhet të bëjë gjithçka që mundet për të parandaluar që kjo të ndodhë përsëri”, ka thënë Blinken.

– SHBA-ja mbështeti Izraelin me ndihmë ushtarake

Në fjalimin e tij në Shtëpinë e Bardhë më 10 tetor, ndërsa sulmet e Izraelit ndaj Gazës po vazhdonin, Biden në vend që t’i kritikonte ato, bëri deklarata në mbështetje të sulmeve të Izraelit ndaj Gazës.

Ai deklaroi se Izraeli ka “detyrë t’u përgjigjet” sulmeve të Hamasit. “Ne duhet të jemi shumë të qartë në këtë pikë. Ne jemi në anën e Izraelit. Ne do të ofrojmë gjithçka që Izraeli ka nevojë për të mbrojtur qytetarët e tij, për të mbrojtur veten dhe për t’iu përgjigjur këtij sulmi”, tha Biden.

Duke theksuar se SHBA-ja do të vazhdojë ndihmën e saj ushtarake për Izraelin, Biden tha: “Ne do të sigurohemi që asetet kritike (ushtarake) të Izraelit të mos shterohen duke mbrojtur qytetet dhe qytetarët e tij”.

– Biden mbrojti pretendimet e Izraelit përmes raporteve të gazetave

Biden shprehu pretendime të pakonfirmuara se Hamasi u preu kokën foshnjave për të mbështetur sulmet e Izraelit në Gaza dhe tha se kishte parë “prova” për këtë.

“Është e rëndësishme për amerikanët të shohin se çfarë po ndodh atje”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë më 11 tetor. “Unë e kam bërë këtë punë për një kohë të gjatë. Nuk e kisha menduar kurrë se do të shihja pamje të konfirmuara të terroristëve duke u prerë kokën fëmijëve”, tha ai.

Por, zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë më vonë njoftuan se Biden nuk kishte parë asnjë provë për këtë.

– Mesazh nga Blinken drejtuar Izraelit: “Përderisa ekziston SHBA-ja, nuk do të duhet të mbroheni”

Blinken vizitoi Izraelin më 12 tetor, kur numri i të vrarëve në Gaza arriti në 1.537, përfshirë 500 fëmijë dhe 276 gra. Blinken, i cili nuk bëri asnjë koment për fëmijët dhe civilët e vrarë në Gaza, në takimin e tij me Netanyahun theksoi shpesh se SHBA-ja qëndron pranë Izraelit.

Në fjalimin e tij këtu, Blinken tha: “Unë jam këtu sot jo vetëm si sekretar i Shtetit të SHBA-së, por edhe si hebre”. Vlen të përmendet se ai injoroi tragjedinë humanitare në Gaza.

“I solla një mesazh të qartë Izraelit. Ju mund të jeni mjaft të fortë për të mbrojtur veten. Por, për sa kohë që ekzistojnë SHBA-ja, nuk do të duhet ta bëni kurrë këtë sepse ne do të jemi gjithmonë me ju”, ka thënë Blinken.

– Biden mbështeti Izraelin në Tel Aviv, ku shkoi një ditë pas sulmit në spital

Presidenti amerikan Biden shkoi në Tel Aviv më 18 tetor, një ditë pas sulmit të ushtrisë izraelite në Spitalin Baptist Al-Ahli në Rripin e Gazës së bllokuar.

Biden, i cili nuk bëri asnjë dënim në lidhje me sulmin tha: “Isha shumë i trishtuar dhe i zemëruar për shpërthimin e djeshëm në spitalin në Gaza. Sipas asaj që shoh unë, ekipi tjetër është përgjegjës për këtë, jo ju”. Ai u përpoq ta shfajësonte Izraelin duke thënë këtë, edhe pse nuk kishte asnjë provë që e vërtetonte këtë.

Më 18 tetor, kur Biden vizitoi Tel Avivin, Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se 3.478 palestinezë ishin vrarë në Gaza dhe më shumë se 12 mijë ishin plagosur nga sulmet izraelite.

– Deklaratë nga SHBA-ja: “Nuk do të vendosim vijë të kuqe për Izraelin”

Zyrtarët amerikanë nuk “kanë vijë të kuqe” kundër Izraelit në lidhje me vrasjet e civilëve dhe krimet e luftës dhe përmbahen nga dënimi me këmbëngulje i sulmeve të Izraelit”.

Lidhur me pretendimet se Izraeli përdori bomba të ndaluara me fosfor të bardhë në Gaza në transmetimin e NBC më 15 tetor, Sullivan tha: “Detyra ime nuk është të vizatoj vija të kuqe”.

– “Ne nuk vendosim kufizime në përdorimin e armëve që i janë dhënë Izraelit”

Ndërkohë që SHBA-ja vazhdoi mbështetjen aktive të armëve për Izraelin, Washingtoni nuk vendosi asnjë kufizim për përdorimin e këtyre armëve nga Izraeli.

E pyetur për përdorimin e armëve që i janë dhënë Izraelit kundër civilëve më 30 tetor, kur numri i palestinezëve të vrarë në Gaza kaloi 8 mijë, zëvendës-zëdhënësja e Pentagonit, Sabrina Singh tha: “Ne nuk vendosim kufizime se si Izraeli duhet të përdorë armët që i janë dhënë. Varet tërësisht nga ushtria izraelite se si do t’i përdorë ato në operacionet e saj. Ne nuk vendosim asnjë kufizim”.

– SHBA-ja nuk bëri thirrje për armëpushim dhe as nuk e dënoi Izraelin

Pavarësisht viktimave civile në Gaza, SHBA-ja ende refuzon të bëjë thirrje të qartë për “armëpushim”.

Zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit përdorin si justifikim tezën se nga “Armëpushimi do të përfitonte Hamasi”.

Pavarësisht se në sulmet e Izraelit humbën jetën më shumë se 11 mijë civilë dhe në shënjestër u vu infrastruktura civile, përfshirë spitalet, ende nuk ka asnjë kritikë apo dënim nga administrata amerikane ndaj qeverisë izraelite.

– SHBA-ja dërgoi 2 luftanije në rajon

Administrata amerikane, e cila i dha Izraelit rreth 3.8 miliardë dollarë ndihmë nga fillimi i vitit deri më 7 tetor, nuk dha shifër të saktë për koston e mbështetjes ushtarake të dërguar Izraelit pas kësaj date.

Gazeta “Wall Street Journal” pretendon se më 31 tetor, administrata e Bidenit njoftoi Kongresin për dërgimin e një bombe prej 320 milionë dollarësh në Izrael.

Administrata amerikane ka dërguar 2 luftanije në rajon që nga 7 tetori dhe mban gati 2 mijë ushtarë për t’u vendosur nëse është e nevojshme.

– Administrata e Bidenit i kërkoi Kongresit 14 miliardë dollarë për Izraelin

Administrata e presidentit Biden i kërkoi Kongresit të sigurojë 14 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin.

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së miratoi projektligjin që siguron 14.3 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin. Megjithatë, ky projektligj kërkon që paratë të shkurtohen nga buxheti i Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme të SHBA-së dhe demokratët, përfshirë Bidenin, e kundërshtojnë këtë projektligj.