Një ish-trafikant droge, i kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, Raffaele Imperiale, i ka ofruar autoriteteve italiane një ishull artificial që zotëron në brigjet e Dubait me shpresën për të marrë ulje të dënimit, shkruan The Guardian.


Njoftimi u bë gjatë gjyqit në Napoli të hënën, ku përfshiheshin rreth 20 të pandehur, duke përfshirë Imperialen, që ka nofkën “bosi Van Gogh”, trafikant ndërkombëtar droge për Camorran, mafian napolitane.

Imperiale, i cili kishte qenë në arrati për pesë vjet, u arrestua në Dubai në gusht 2021 dhe u ekstradua në Itali në mars 2022. Imperiale ishte ndër të rrallët që u ekstradua nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe drejt një vendi të BE-së.

Sipas hetuesve, Imperiale bleu ishullin, të quajtur Tajvan, gjatë kohës që ishte fshehur. Vlera e ishullit është nga 60 deri në 80 milionë euro dhe është pjesë e një arkipelagu artificial në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe i formuar si një hartë e globit.

Imperiale, i cili mund të dënohet me 14 vjet e 10 muaj burg, po përpiqet të tregojë gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me autoritetet me shpresën për të marrë dënim të reduktuar.

“Është e qartë se Imperiale kërkon ulje dënimi”, ka thënë prokurori, Maurizio De Marco. “Ne po vlerësojmë vlefshmërinë e deklaratave të tij, por duket se nuk ka dyshime për vërtetësinë e tyre”.

Imperiale filloi karrierën kriminale në një kafene në Amsterdam duke shitur kanabis dhe besohet se ka qenë lider i një superkarteli të supozuar të drogës, së bashku me ish-kriminelin më të kërkuar të Holandës, Ridouan Taghi, bosin e bandës irlandeze Daniel Kinahan, dhe trafikanti boshnjak i drogës Edin Gaçanin.

Daniel Kinahan, babai i tij, Christopher dhe vëllai Christopher Jr janë ende të lirë, pavarësisht se ka shpërblim 5 milionë euro për kokat e tyre.

Autoritetet italiane e konsiderojnë grupin e Imperiales si një nga 50 kartelet më të mëdha të drogës në botë. Konsiderohet se grupi i tij ka bërë monopol me kokainën peruane.

Imperiale, i cili shijonte mënyrë jetese luksoze në Dubai dhe shpenzonte deri në 400 mijë euro në muaj, fitoi pseudonimin “bosi Van Gogh” sepse zotëronte dy piktura të vjedhura, të çmuara nga artisti holandez.

Për të demonstruar gatishmërinë për t’u bërë bashkëpunëtor i drejtësisë, Imperiale ua ktheu pikturat autoriteteve gjyqësore. Informacioni i tij çoi në kthimin e pikturave.